“Shqiptarët e Maqedonisë na bëjnë krenarë për faktin se janë mbështetësit kryesorë të integrimit euroatlantik të Maqedonisë “ shprehet Nazif Cungu kryetar i Forcës së re Demokratike në Mal të Zi dhe kryetar i Uqinit, në një intervistë ekskluzive për portalin “TetovaSot”. Sipas tij sjellja e partive maqedonase ndaj shqiptarëve kujton retorikën shoviniste të viteve të errëta të shekullit të kaluar. Një qëndrim kaq flagrant e të egër anti shqiptar nuk e kanë as serbët e Malit të Zi.
Si e komentoni “Deklaratën Shqiptare” të nënshkruar nga liderët shqiptarë , ku tani kemi një parti si VMRO e Gruevskit që ka gjetur pretekst se kjo Deklaratë është nën-shkruar në Tiranë duke protestuar në rrugë, ndërsa BDI e Ahmetit e mohon këtë duke theksuar se kjo është Deklaratë autoktone e cila buron nga Marrëveshja e Ohrit? Nazif Cungu: Unë e vlerësoj lartë deklaratën e cila përmban kërkesat politike dhe ekonomike legjitime e të kamotshme të shqiptarëve që jetojnë në Maqedoni. Bashkimi i partive për hir të interesit kombëtar ishte një lajm frymëzues për të gjithë sepse në këtë mënyrë treguan përgjegjësi të lartë. Meritë të veçantë për uljen në një tryezë të faktorëve politikë ka padyshim BDI dhe lideri Ahmeti që edhe pse kishte mjaftueshëm vota për ta bërë vetëm koalicionin me VMRO-në. Kërkesat e bëra aty janë në përputhje të plotë me Kushtetutën e Maqedonisë dhe janë pjesë përbërëse e programeve politike të partive shqiptare ne Maqedoni kështu që të gjitha këto protesta e kundërshtime që i bëhen deklarate më duken qesharake. Gjithashtu VMRO nuk e kundërshtoi deklaratën kur doli por vetëm atëherë kur partitë shqiptare hynë në negociata për të formuar qeverinë me LSDM. Kjo demonstron qartë që nuk i pengon deklarata por humbja e pushtetit.