As sot Kuvendi nuk arriti të dalë nga labirinti i replikave, kundër-replikave dhe fjalimeve procedural mes deputetëve për të vazhduar me pikat e rendit të ditës, formimin e Komisionit për Zgjedhje dhe Emërime dhe zgjedhjen e kryeparlamentarit të ri. Deputetët e VMRO-DPMNE-së dhe LSDM-së në vazhdimësi akuzojnë njëra tjetrën për mbrojtjen e interesave partiake. Deputetët e partisë së Gruevskit kërkojnë që LSDM-ja të pranojë se punon kundër interesave nacionale kurse deputetët e partisë së Zoran Zaevit, vlerësojnë se debati zgjatet me qëllim nga VMRO-DPMNE-ja për t’i ikur drejtësisë.
Populli është i mashtruar. Nuk i beson LSDM-së dhe për këtë arsye dëshiron që të dëgjojë se çfarë kanë pranuar nga platforma ose deklarata e partive shqiptare të Kuvendit – deklaroi Zoran Ilioski, nga VMRO-DPMNE.
Të fshehur pas foltores së Kuvendit mos flisni të pavërteta, mos parashtroni dilema të pabaza që ta frikësoni edhe popullin maqedonas dhe të gjithë qytetarët e Maqedonisë. Bëhuni të guximshëm për përballuni në mënyrë të përshtatshme me debat dhe duel mes kryetarëve të të dy partive politike – deklaroi Hari Llokvenec nga LSDM.
Me prejardhje jam shqiptar por jam shqiptar i maqedonizuar. Kam jetuar si maqedonas dhe kam shkuar në shkolla maqedonase prandaj do të doja të jem një lidhje si urë mes jush për të pasur një mirkuptim. Vetëm qetësohu pak të gjithë partitë dhe leni interesat partiake anësh. Le të punojmë për Maqedoninë – Branko Manojllovski nga BDI.
Emri i Manojllovskit u propozua disa herë si deputet i cili duhet të vazhdojë kryesimin e seancës konstituive në vend të Veljanovskit i cili në vazhdimësi akuzohet për shkelje të rregullores së Kuvendit. Veljanovski pretendoi se drejton seancën në pajtim me rregulloren dhe fajësoi deputetët që keqpërdorin të drejtën e fjalës. Ai ndërpreu mikrofonin dy herë radhazi për deputetet Jagoda Shahparska dhe Milena Gjorgjieva.
Seanca do të vazhdojë të hënën por nëse deputetët e VMRO-DPMNE-së nuk heqin dorë nga paraqitjet e tyre për të marrë fjalën, debatit nuk i shihet fundi të paktën për pesë muajt e ardhshëm.
Fatlume Dervishi