Do doja t’ju njoftoj se në këtë fazë hetimi është zgjeruar me 17 persona për më shumë vepra penale. Këtu ka edhe përfshirje financiare. Dua të them se kjo ka të bëjë me atë që pas dëgjimit të audiomaterialeve pamë se ka më shumë persona të përfshirë në këto vepra penale – Katica Janeva, prokurore speciale.
Përmes “Titanikut” Specialja heton se si është financuar VMRO-DPMNE-ja. Tashmë janë marrë në pyetje anëtarë të partisë në Ohër për të cilët ekipi i Janevës pohonte se kanë qenë nën presion për të mos bashkëpunuar me PSP-në. Nga 180 persona të ftuar, vetëm 15 kanë dhënë deklarata. “Titanik” është hetimi i parë të cilin e hapi Katica Janeva. Të dyshuar për parregullsi zgjedhore janë ish ministrja e Punëve të Brendshme Gordana Jankullovska, ish ministri i Transportit Mile Janakieski, sekretari i përgjithshëm i Qeverisë, Kiril Bozhinovski dhe kryetari i komunës së Pustecit, Edmond Temelko.