Katër ditë heshtje nga Prokuroria Publike Shtetërore e Marko Zvërlevskit. Nuk ka përgjigje se përse kanë parashtruar kërkesë në Gjykatën Supreme për pezullimin e paraburgimit të biznesmenit Sead Koçan. Ligji lejon që kërkesë të këtillë mund të parashtrojnë vetëm prokuroritë, por jo edhe avokati i Koçanit. Dyshimi i Zvërlevskit në rregullsinë e vendimit të Gjykatës Penale dhe asaj të Apelit tani është në duart e pesë gjykatësve të Gjykatës Supreme. Kryetari i Gjykatës më të lartë sot iu shmang komentimit të kërkesave të Speciales për përjashtimin e tij në rastin “Trust” dhe parashtresën e Janevës me të cilën e tërheq kërkesën me të cilën Zvërlevski tenton ta shpëtojë nga paraburgimi biznesmenin Sead Koçan.
Përgjigjen e kësaj pyetje do t’ua jap haptazi në një rast tjetër. Sidoqoftë, pyetni ata se përse kërkojnë përjashtimin tim. Nuk dua ta prish temën e kësaj konference dhe t’u përgjigjem pyetjeve që nuk kanë lidhje me këtë konferencë – deklaroi Jovo Vangellovski, kryetar i Gjykatës Supreme.
Ditëve të fundit, opinioni është dëshmitar i një beteje juridike mes Katica Janevës nga njëra anë dhe Marko Zvërlevskit e Jovo Vangellovskit nga ana tjetër. Prokuroria Speciale me kërkesë dërguar Gjykatës Supreme tërhoqi dokumentin me të cilin Zvërlevski kërkon pezullimin e paraburgimit të Koçanit, me arsyetimin se kompetencën për lëndën nga bisedat e përgjuara e ka vetëm Specialja. Pas kësaj, vijoi edhe kërkesa për përjashtimin e kryetarit të Gjykatës Supreme i cili është pjesë e Këshillit që duhet të vendosë për kërkesën e Prokurorisë së rregullt. Përderisa zgjat beteja juridike, Sead Koçan tashmë tre javë ndodhet jashtë vendit. Policia e kërkon me fletarrest ndërkombëtar, ndërsa avokati i tij pohon se ai është në udhëtim zyrtar. Një pjesë e mediave publikuan se Koçani fshihet në Kosovë, ndërsa me ndihmën e një biznesmeni nga Novi Pazari duhet të strehohet në Sanxhak. Koçani dyshohet se me dokumente të rreme ka fituar tender nga shteti që kap vlerën prej mbi 17 milion euro për gërmim në TEC “Manastiri”.
/Bojan Stojanovski