Boshatisja e Strugës po vazhdon me ritme të shpejta. Përveç vendeve të Europës, tashmë në shënjestër të qytetarëve shqiptarë të Strugës është edhe Amerika. Edhe pse nuk ka një statistikë zyrtare, është i konsiderueshëm numri i struganëve që nëpërmjet bashkimit familjar janë shpërngulur në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Vetëm vitin e fundit, siç informohet gazeta KOHA, nga banorët lokal të Shumit dhe Zagraçanit drejt Shteteve të Bashkuara të Amerikës, janë zhvendosur më shumë se 20 banorë. Kjo tendencë është prezent pothuajse në të gjithë lokalitetet e Strugës dhe në vet qytetin. Pasi një familjar i cili më herët ka rregulluar qëndrimin në SHBA aplikon për anëtarët e tjerë, duhen më shumë se 10 vite për një përgjigje, e cila në pjesën më të madhe është pozitive.
Sami Biba, kryetar i Bashkësisë Lokale të Pohumit, në një prononcim të mëhershëm për gazetën KOHA konfirmoi se edhe nga ky fshat i vogël disa familje u kanë vënë drynin shtëpive dhe janë larguar drejt Amerikës. Nga viti në vit, numri banorëve rezident shqiptarë në Komunën e Strugës po vije duke u pakësuar. Ndërkohë rritet numri i shqiptarëve nga Struga që jetojnë në mërgim, kryesisht në vendet e Bashkimit Evropian dhe shtetet e tjera tejoqeanike si SHBA, Kanada dhe Australi. Kjo tendencë nuk është e izoluar dhe vetëm në fshatrat e kësaj ane, por prezentë në të gjithë vendbanimet shqiptare në Strugën, gjykuar nga niveli i njëjtë i tendencave migratore që kanë përfshirë Strugën në të kaluarën. Boshatisjen e Strugës e ilustron edhe situata në shkolla ku nga viti në vit zvogëlohet numri i nxënësve. Struga është një nga qytetet dhe komunat në vend që ka një mërgatë të fuqishme në vendet europiane dhe tejoqeanike, e cila nëse motivohet të investojë në vendlindje padyshim që do ketë një impakt zhvillimor dhe do të ndikoj pozitivisht në daljen nga stanjacioni ekonomik apo kriza që mbizotëron viteve të fundit. Edhe pse mungojnë statistika burimor të numrit të struganëve që jetojnë dhe punojnë në vendet perëndimore, supozohet se më shumë se njëzetmijë qytetar me origjinë nga Struga jetojnë dhe punojnë prej dekadash të shpërndarë anë e kënd globit, e dhënë e cila konfirmohet edhe nga shoqatat që tubojnë mërgimtarët. Pra kemi të bëjmë me shifër goxha të madhe që flet vetë për potencialet dhe kapacitetet e mërgatës strugane në rrafshin e fuqisë së saj ekonomike, nga e cila mund të përfitojë Struga në të ardhmen. Por, a ka një strategji apo plan me politika orientuese për thithjen e kapitalit të mërgimtarëve në këto vite nga strukturat lokale dhe të interesuar të tjerë në këtë aspekt është pyetja që vetvetiu lind.