Mosmarrëveshjet mes VMRO-DPMNE-së dhe LSDM-së rreth zgjedhjes së kryetarit të Komisionit Parlamentar për Zgjedhje dhe Emërime kanë ndërprerë takimin e sotëm koordinues mes shefave të grupeve parlamentare në Kuvend. Përpjekjet për zhbllokimin e këtij trupi kuvendor pritet të vijojnë nesër në orën 12;00 tek ish kryeparlamentari Trajko Veljanovski. Deputeti i LSDM-së Oliver Spasovski, pas takimit akuzoi VMRO-DPMNE-në se në mënyrë të padrejtë po kërkon të merr kreun e Komisionit për Zgjedhje dhe Emërime. Sipas tij, deputetët e Gruevskit përmes vendosjes së kushteve të ndryshme po tentojnë të mbajnë të bllokuar Kuvendin për të mos i hapur rrugë formimit të qeverisë së re dhe për të mbrojtur interesat e disa drejtuesve të VMRO-DPMNE-së.
Ne kemi argumente serioze se kreu i komisionit parlamentar për zgjedhje dhe emërime duhet të zgjidhet nga shumica parlamentare siç ka qenë deri tani dhe i japim mundësi VMRO-së që të vetëdijësohet dhe të mos institoj për gjëra që vetëm zvarrisin proceset në Maqedoni sepse nuk bëhet fjalë për asgjë tjetër – deklaroi Oliver Spasovski, LSDM.
Por, VMRO-DPMNE-ja këmbëngul se kryetari i Komisionit Parlamentarë për Zgjedhje dhe Emërime duhet t’i takojë grupit parlamentar të partisë më të madhe në Kuvend, që në këtë rast është partia e Gruevskit. Deputeti Ilija Dimovski ka paralajmëruar se nëse subjektet politike vendosin që të formojnë shumicë pa VMRO-DPMNE-në, mazhoranca e re do të përballet me pasoja politike dhe juridike.
Nëse partitë tentojnë të formojnë ndonjë shumicë parlamentare apo qeveri pa pjesëmarrjen e partisë më të madhe duhet të jenë të vetëdijshëm se vendimet e tilla sjellin pasoja politike dhe formalo-juridike që janë të ndryshme nga ato të deri tanishmet në Kuvend. Dhe kjo nuk e përjashton mundësinë që në parlament nuk ka pasur situatë kur kryetar i komisionit për zgjedhje dhe emërime është zgjedhur ndonjë deputet i partisë së dytë apo të tretë. Kjo ka ndodhur në raste për kryetar të kuvendit por asnjëherë në këtë komision që është nga më të rëndësishmit – deklaroi Ilija Dimovski, VMRO-DPMNE.
Komisioni parlamentar për zgjedhje dhe emërime që nxjerr propozimin për kreun e ri të Kuvendit numëron 13 anëtarë. Gjashtë ka VMRO-DPMNE-ja, pesë LSDM-ja, 1 BDI-ja dhe 1 Lëvizja Besa. Në këto rrethana shumica ka numrat e nevojshëm për të zgjedhur kryeparlamentarin e ri, por puna e këtij trupi kuvendor është bllokuar për shkak të pamundësisë për të zgjedhur kreun e tij i cili duhet ta caktojë mbledhjen e këtij komisioni. Vënia në funksion e Kuvendit përmes zgjidhjes së kreut të këtij institucioni shihet si një mundësi për zhbllokimin e situatës. LSDM-ja kishte paralajmëruar se pas zgjidhjes së kreut të ri të Kuvendit, ky i fundit do ta njoftonte presidentin se në Parlament është formuar shumica dhe në këtë rast sipas LSDM-së, Ivanovi do të ishte i detyruar t’i ndajë mandatin për formimin e qeverisë së re partisë që ka arritur të sigurojë mbështetjen e shumicës së deputetëve.
Rijad Murati