Në seancën e sotme për Rastin e Kumanovës kanë dëshmuar dy të akuzuar, Mirsad Qerimi dhe Valdet Zekaj.
Mirsad Qerimi gjatë fjalës së tij, tha se në Maqedoni është ftuar nga Beg Rizaj i cili ka punuar në lokalin e tij dhe në Maqedoni ka ardhur për të rregulluar ca kompjuter. Ai tha se është dorëzuar bashkë me Mirsad Ndrecaj dhe Beg Rizajn dhe anëtarë të tjerë me 9 maj ndërsa më pas është keqtrajtuar shumë nga ana e forcave policore.
Edhe avokatja mbrojtëse Snezhana Stefanovska tregoi se i akuzuari Mirsad Qerimi në dëshminë e sotme tregoi si dhe përse kishte ardhur në Maqedoni dhe tregoi fakte të cilat kanë shumë rëndësi për rastin në fjalë dhe për akuzën të cilën i është bërë atij.
“Të gjithë atë që e kishte për të thënë e tregoi, për fakte të cilat janë të rëndësishme për verifikimin e situatës faktike dhe për nivelin e akuzës për të cilën akuzohet. Mirsad Qerimi nuk kishte asnjë motiv për të ardhur në Maqedoni, ai tregoi si, pse dhe për çfarë erdhi këtu”, ka thënë Snezhana Stefanovska, avokate mbrojtëse.
Ndërsa i akuzuari tjetër, Valdet Zekaj, gjatë kohës që po dëshmonte ai ankohej se i’a kanë thyer dhëmbët dhe nuk mundej që ti shqiptoj fjalët mirë. Megjithatë edhe ai tha se ashtu si të gjithë të akuzuari tjerë në Maqedoni kishte ardhur për një qëllim, dhe qëllimi ishte se ka kaluar shumë kohë dhe Marrëveshja e Ohrit ende nuk është zbatuar.
“Duke marrë parasysh se bashkëkombëseve të mi vazhdimisht u bëhet padrejtësi, unë erdha në Maqedoni. Kam qenë pjesmarrës edhe në luftën e 2001-shit në Maqedoni dhe atëherë u nënshkrua një marrëveshje e quajtur ‘Marrëveshja e Ohrit’, mirëpo ajo kurrë nuk u zbatua, madje as që nuk u tentua të zbatohej ndonjëherë. U bënë 10 vite, u bënë 11 dhe kështu neve na mbaroi durimi dhe u detyruam që të vijmë sepse dua ta shoh këtë popull me të drejta të barabarta me maqedonasit”, ka deklaruar Valdet Zekaj, i akuzuar.
Për rastin e Kumanovës janë të akuzuar 37 persona, nën akuzën terrorizëm , për përleshjet e armatosura që ndodhën më 9 dhe 10 maj në “Lagjen e Trimave” në Kumanovë.
Emine Ismaili /SHENJA/
Rasti i Kumanovës, i akuzuari Zekaj: Nuk falsë… by tvshenjaofficial