17 March
Nëse nuk ndërpritet emigracioni i qytetarëve nga vendet e vogla drejtë Shkupit, kryeqyteti mund të përjetojë katastrofë, vlerësojnë një pjesë e sociologëve. Ata thonë se mbipopullimi mund të shkaktojë presion të madh ndaj kryeqytetit, ndërsa qytetarët shumë më vështirë do të mund të gjejnë vende pune. Përderisa në qytetet më të mëdha do ketë mungesa të çerdheve dhe shkollave, qytetet dhe vendet e vogla prej ku shpërngulet popullata, do të ballafaqohen me pamundësinë e formimit të paraleleve për mësim.
Ministria e Pushtetit Lokal pranoi se Qeveria nuk e jep përqindjen e Prodhimit Bruto Vendor të garantuar me ligj për zhvillim të barabartë rajonal.
Nuk është respektuar sa duhet Ligji për zhvillim të barabartë rajonal. Ne jemi për atë që të ndahen më shumë fonde që të kemi zhvillim të barabartë rajonal. Ne jemi në rrjedhë dhe proces dinamik të cilin do ta zhvillojmë për çdo ditë – u shpreh Shiret Elezi, ministre e Pushtetit Lokal.
Por, ministrja Elezi nuk tregoi nëse kanë ndonjë strategji për ta penguar mbipopullimin e Shkupit dhe zbrazjen e qyteteve më të vogla dhe fshatrave. Edhe nga Ministria e Arsimit konfirmojnë se çdo vit kanë kërkesa nga shkollat e vendit për lejimin e paraleleve me njëzet e më pak nxënës, ndërsa të shpeshta janë vendet ku mezi ka nga tre nxënës. Projektimi i demografëve është se në vitin 2050, Maqedonia do të ketë rreth 2 milionë e 183 mijë banorë, prej të cilëve thuajse gjysma e tyre do të jetojnë në Shkup.
Verica Pavlloska