17 March
Babai i njërit prej nxënësve të gjimnazit të Prilepit “ Mirce Acev” dhe LSDM -ja kanë ngritur padi penale ndaj drejtorit të kësaj shkolle Kire Nikollovski, i cili në një video të publikuar ditë më parë, iu bënte thirrje nacionaliste nxënësve dhe i detyronte që të dalin në protesta kundër Platformës Shqiptare. Iniciuesit e padive thonë se askush nuk guxon t’i keqpërdor fëmijët për interesa politike.
Në vend që t’i mbrojë fëmijët nga keqpërdorimet partiake, të cilën e kanë detyrim, Nikolloski përmes fjalimeve partiake në gjimnaz i ka nxitur nxënësit në protestë, duke përhapur urrejtje kombëtare. Përmes padisë për drejtorin e gjimnazit të Prilepit, njëkohësisht ngremë padi penale ndaj Zharko Temellkoskit, drejtor i shkollës së mesme industriale “Riste Risteski” – tha Mile Talevski, anëtar i Këshillit në Prilep- LSDM:
Nga ana tjetër Ministria e Arsimit ende nuk ka vendosur nëse do të ndërmerren masa disiplinore ndaj drejtorit të shkollës së Prilepit, por thotë se Inspektorët është në terren për ta verifikuar rastin.
Pas verifikimit të gjendjes duhet që brenda javës që vjen të përgatisin një raport të detajuar i cili duhet dorëzuar drejt inspektoratit shtetëror të arsimit dhe po i njëjti duhet të dorëzohet në Ministrinë e Arsimit dhe konform neneve të ligjit për arsim të mesëm , dhe aty ku definohet roli dhe pozicioni i drejtorit janë të parapara të gjitha hapat që duhet të ndërmerren në rastet eventuale të keqpërdorimit të detyrës, të cilat sanksione duhet të ndërmerren ndaj drejtorit – deklaroi Safet Neziri nga Ministria e Arsimit.
Sipas Nezirit sanksionet ndër të tjera parashikojnë tërheqjen e vërejtjes, gjobë në para dhe ndërprerja e ushtrimit të detyrës së drejtorit. Një ditë më parë prindërit e nxënësve protestuan duke kërkuar që fëmijët të mos përdoren për interesa politike. Reagime të ashpra pati edhe nga sektori civil dhe Avokati I Popullit të cilët dënuan sjelljen e drejtorit dhe kërkuan që institucionet t’i ndërmarrin të gjitha hapat e nevojshëm.
Vjollca Aliti