Këshilli i Prokurorëve Publik është duke shqyrtuar raportin gjashtë mujor të PSP-së të dorëzuar ditë më parë. Pas shqyrtimit të detajuar, pritet që e para e Speciales Katica Janeva të thirret dhe të njoftohet me qëndrimin e Këshillit. Në fund, këshilli do të prononcohet nëse pranon ose jo raportin e PSP-së. Raporti është dërguar edhe në Kuvend, por në mungesë të përbërjes dhe trupave parlamentare, raporti nuk do të mund të diskutohet në Komisionin për sisteme politike. Partitë politike me përjashtim të VMRO-së e cila PSP-në quan organ të LSDM-së, e kanë vlerësuar raportin ndërsa kanë përsëritur qëndrimin mbështetës për punën e saj. Ndërkohë ekspertët raportin në fjalë të PSP-së e vlerësojnë si profesional. Sipas ish prokurorit Aleksandar Nakov, varësisht intensitetit të punës, PSP ka arritur që në kohë të hetojë rastet me interes për qytetarët.
Në lidhje me kompetencat që ka PSP dhe përgjegjësinë për të dhënë raporte deri tek Kuvendi dhe Këshilli i Prokurorëve Publik, punën e saj PSP-ja e bën në kohë dhe në mënyrë kualitative. Me këtë dua të them se në kompetencat e saj kjo prokurori përfshinë edhe parimet e pavarura që i ka e para e kësaj prokurorie, Katica Janeva dhe autonominë që posedon ky institucion – deklaroi Aleksandar Nakov, Ish prokuror.
Nakov shton se shtimi i numrit të audio incizimeve të cilat u gjetën pasi ishin fshirë nga sistemi për përgjim është edhe një dëshmi më tepër se mandati i kësaj prokurorie duhet të vazhdohet. Lidhur me obstruksionet që PSP i citon në raportin e saj gjashtëmujor, Nakov shton se ndalimi i tyre do të mundësonte që PSP të punojë lirshëm dhe në mënyrë më objektive në lëndët që i heton.
Ka pasur, ka dhe do të ketë edhe në të ardhmen obstruksione ndaj punës së saj. Megjithatë, pikërisht këtu është kualiteti i punës së PSP-së, këtu është qëndrueshmëria e PSP-së në detyrat që i janë besuar – tha Navkov.
Në raportin që PSP publikoi ditë më parë, konstatohet se në gjashtë muajt e fundit Specialja ka arritur të analizojë 45% nga totali i bisedave të përgjuara të cilat arrijnë mbi 606 mijë biseda. Për gjashtë muaj PSP-ja ka iniciuar 14 procedura para-hetimore, ndërsa deri më tani si të dyshuar në lëndët e Speciales që nga fillimi i punës saj janë 112 persona për 160 vepra penale.
Adrian Kerimi