Nëpërmjet një aktiviteti solemn sot u përfundua projekti 5 vjeçar i financuar nga USAID Maqedoni, i cili kishte për qëllim integrimin ndëretnik në sistemin arsimor të Maqedonisë. Udhëheqësi i USAID-it për Maqedoni, James Stein, tha se nëpërmjet aktiviteteve të ndryshme, është arritur që të mënjanohen barrierat dhe për të ndërtohen ura tek të rinjtë e etniteteve të ndryshme. Stein theksoi se është posaçërisht krenar për gjithpërfshirjen e projektit, duke shtuar se të gjitha shkollat fillore dhe të mesme kanë qenë pjesë e projektit dhe se çdo shkollë ka formuar një ekip që ka punuar në temat ndëretnike.
“Mbi 18000 mësues kanë qenë pjesë e trajnimeve për edukim ndëretnik, dhe tani ata po zbatojnë teknika të reja nëpër klasa. Mbi 1500 nxënës kanë marrë pjesë në debate të ndryshme për të komunikuar me njerëz të etnive të ndryshme”, ka thënë James Stein, udhëheqës i misionit të USAID-it.
Ndërkohë, ministri i arsimit dhe shkencës, Pishtar Lutfiu, tha se edhe Ministria e Arsimit aktivisht është përfshirë në këtë projekt, pasi siç theksoi ai, procesi i integrimit ndëretnik është një ndër fushat më të rëndësishme për shoqërinë dhe sistemin e arsimit të Maqedonisë.
“Një prej arritjeve kryesore të këtij projekti është se tani të gjitha shkollat fillore dhe të mesme janë të përfshira në projekt. Shumicat e komunave, këshilltarëve dhe prindërve e mbështetin aktivitetin për integrim në nivel të bashkësisë”, ka deklaruar Pishtar Lutfiu, ministër i arsimit dhe shkencës.
Si pjesë e projektit, gjatë 5 viteve të kaluara janë rinovuar gjithsej 63 shkolla në Maqedoni, nga të cilat përfitojnë mbi 46 mijë nxënës dhe mbi 5100 mësues.
Abdulla Berisha /SHENJA/
Arsim, përfundon projekti për integrim ndëretnik by tvshenjaofficial