Ambasadori amerikan në Shkup, Xhejs Bejli, ka përsëritur edhe një herë qëndrimin se vendimi i presidentit Gjorge Ivanov për të mos i dhënë mandatin liderit të LSDM-së, Zoran Zaev, nuk ka qenë i drejtë.
“Disa herë kemi sqaruar qëndrimin tonë në lidhje me vendimin e presidentit Ivanov. Ne mendojmë se nuk ishte vendim i mirë dhe shpresojmë se do ta rishqyrtojë. Mendoj se është e rëndësishme që institucionet demokratike të funksionojnë dhe vlerësoj se pikërisht këtu qëndron edhe zgjidhja e krizës”, ka deklaruar Xhes Bejli, ambasador i SHBA-ve.
I pyetur nëse duhet një marrëveshje e re për të dalë nga kriza paszgjedhore, Bejli thotë se është e rëndësishme që të realizohet ajo që është dakorduar më herët.
“Ka një sistem që nga maji dhe qershori për t’i dhënë fund krizës politike, për t’u rikthyer në kuvend dhe për të mundësuar kushte për zgjedhje fer dhe demokratike, për të procesuar bisedat e përgjuara dhe për të vazhduar me reformat prioritare. Kjo është baza prej ku duhet të vazhdohet përpara. Nëse i shohim të gjitha këto elemente, mund të shohim edhe përfundimin e krizës”, ka thënë më tej bejli.
Ambasadori Bejli theksoi se SHBA-të vazhdojnë të jenë miq të Maqedonisë dhe shprehi vullnetin për të ndihmuar. Megjithatë, siç tha Bejli, janë qytetarët dhe liderët politik ata që duhet të mundësojnë funksionalizimin e institucioneve.
Abdulla Berisha /SHENJA/
Bejli: Presidenti të rishqyrtojë vendimin by tvshenjaofficial