15 March
Arsimi i integruar është mënyra më e mirë për ndërtimin e urave mes komuniteteve dhe zbehur barrierat. Kështu porositi ambasadori amerikan Xhes Bejli dhe drejtuesit e projektit për integrimin ndëretnik në arsim. Sipas tyre pikërisht përmes arsimit, fëmijët në moshë të re mësojnë për bashkëjetesën dhe çlirohen nga paragjykimet që çojnë në keqkuptime dhe ndarje të thella në shoqëri.
Ne lançuam Projektin për Integrim Ndëretnik në Arsim para pesë viteve që t’i thyejmë barrierat dhe të ndërtojmë ura rreth ndarjeve etnike në të gjitha shkollat në Maqedoni. Përmes projekteve dhe ushtrimeve në klasa, aktiviteteve të tjera dhe ekskursioneve, studentët, mësuesit dhe prindërit e kombësive të ndryshme ndërtuan themelet për forcimin e integrimit – deklaroi James Stain, përfaqësues i USAID-it në Maqedoni.
Kjo që e bëmë bashkë ka bazë të zhvillohet, me qëllim që të krijojmë shoqëri që do të bazohet në integrim, në bashkëpunim të përbashkët, në bashkëjetesë, në qytetari dhe para së gjithash në të ardhme qytetare në Maqedoni – tha Nejbosha Mojsoski, drejtues i PINA.
Projekti për Integrim Ndëretnik në Arsim u financua nga USAID dhe qeveria amerikane dhe përfshiu Ministrinë e Arsimit, komunat dhe nxënësit e mësimdhënësit e të gjitha shkollave fillore dhe të mesme. Ambasadori amerikan, Xhes Bejli tha se përmes këtij projekti ndër tjerash u rinovuan 63 shkolla.
Ky ka qenë një bashkëpunim i madh mes komunave dhe Ministrisë së Arsimit, si partner ekzekutiv por gjithashtu ka qenë edhe një bashkëpunim mes USAID-it dhe qeverisë amerikane, që bashkë me ministrinë e arsimit dhe komunat kanë renovuar 63 shkolla përreth vendit si pjesë e këtij programi, nga e cila kanë përfituar mbi 40 000 nxënës, 5000 mësues – tha ambasadori amerikan Xhes Bejli.
Ministri i Arsimit, Pishtar Lutfiu tha se ky projekt ndihmoi në mënyrë të veçantë bashkëpunimin ndër-shkollor dhe njohjen e ndërsjellë mes nxënësve të kombësive të ndryshme.
Janë formuar rreth 400 partnerë midis shkollave, përmes të cilave është vendosur interaksion midis mësimdhënësve dhe nxënësve të shkollave të gjuhëve të ndryshme mësimore. Mbi 5600 nxënës të grupeve të përziera etnike morën pjesë në punëtori kreative, klube debatuese dhe aktivitete shkollore dhe jashtë-shkollore – tha Pishtar Lutfiu, Ministër i Arsimit.
Vetëm në gjashtë vitet e fundit USAID investoi 6.2 milion dollarë në vend për zhvillimin e sferës së arsimit dhe shkencës.
Anesa Aliti