Grupi i Kumanovës vazhdon të mbetet në qëndrimin se mos zbatimi i Marrëveshjes së Ohrit dhe mohimi i të drejtave të shqiptarëve janë arsyet e vetme të cilat i kanë shtyrë ata të vijnë në Maqedoni për t’i dhënë ultimatum Qeverisë. Tashmë 12 persona nga 37 kanë dëshmuar, dhe versionet e motivit dhe mënyrë së ardhjes janë pothuajse të njëjta. I akuzuari Lirim Demiri theksoi se atë e ka thirrur Sevdail Miftari, njëri prej të akuzuarve të grupit i cili ia ka organizuar edhe transportin nga vendbanimi i tij në Haraçinë, deri në fshatin Hotël ku pjesëtarët e grupit kishin filluar të grumbullohen.
“Më 7 maj më është lajmëruar Sevdail Miftari të cilin e kam familjar dhe më ka kërkuar që të shkoj në Hotël për tu takuar me të. Ma dërgoi një makinë në Haraçinë, më tha dil te qendra e fshatit dhe do të marrë makina. As shoferin e as makinën si mbaj mend, vetëm edi që ishte një makinë e vogël me ngjyrë blu. Kur shkova në Hotël, Sevdaili më tha se e kemi një konferencë për Marrëveshjen e Ohrit dhe uniformat do ti veshim vetëm sepse është më interesante. Ne do të jemi vetëm si figura. Do ti thirrim gazetarët dhe OSBE-në dhe do të bëjmë marrëveshje për zbatimin e MO-së”, ka deklaruar i akuzuari Lirim Demiri.
Sipas pohimeve të Demirit, grupi i tij ka arritur në Lagjen e Trimave në orën 12 e gjysmë pas mesnate më 9 maj dhe disa orë më pas veçmë kishin filluar të shtënat. Prokurorja e pyeti Demirin nëse ka pasur armë dhe ka shtënë me të, por ai në mënyrë të prerë pohonte që jo, edhe pse Prokuroria insistonte se atij i janë gjetur gjurmë baruti në duar dhe rroba.
I akuzuari Hajrush Abdia tha se atë e kishte ftuar i ndjeri Xhafer Zymberi. Udhëtimi i tyre kishte nisur më 1 maj dhe më 2 maj veçmë kishin qenë në territorin e Maqedonisë. Abdia pohonte se Xhafer Zymberi i ka thënë se do të shkojnë afër kufirit të Maqedonisë, do të qëndrojnë në territor të Kosovës, por pasi që kishin hyrë në fshatrat e Kumanovës, i kishin treguar se gjenden në Maqedoni në pjesë të banuar tërësisht me shqiptar dhe nuk ka nevojë për frikë.
“U takova me Xhafer Zymberin në Gjakovë, më 1 maj. Pimë kafe. Më tha se në mbrëmje do të nisem për në kufi me Maqedoninë, eja edhe ti me mua. Do të takojmë disa shokë nga Maqedonia dhe disa funksionarë maqedonas. Më tha ke kohë deri në mbrëmje të mendosh. Unë vendosa të shkoj me të”, tha i akuzuari Hajrush Abdia.
Avokati mbrojtës Asmir Alispahiç thotë se pasi të mbarojnë dëshmitë e 37 të akuzuarve, do të vijon propozimi i dëshmive dhe dëshmitarëve, pjesa më e madhe e të cilëve do të jenë funksionarë të lartë shtetëror në polici dhe qeveri.
“Të akuzuarve u kanë thënë se duhet të mbahet një konferencë në Kumanovë për shkak të moszbatimit të Marrëveshjes së Ohrit. Gjatë gjithë kohës e përmendin këtë fakt të akuzuarit. Liderët e ndjerë ju kanë thënë se do të ngritin këtë çështje në opinion…Tani në periudhën e ardhshme, kemi mundësi të propozojmë dëshmitarë dhe prova shtesë. Shpresoj se gjykata nuk do të na kufizojë dhe do të na i pranojë gjithë propozimet për dëshmitarët. Ju i dini emrat, në opinion janë përmendur se kë do të propozojmë dhe unë besoj se gjithë do të dëshmojnë në interes të së vërtetës”, deklaroi Asmir Alispahiç, avokat.
Seancat e ardhshme janë paraparë të zhvillohen nesër dhe pasnesër dhe më 17 mars,ndërsa deri në fund të muajit do të zhvillohen edhe tre seanca të tjera.
Rasti i Kumanovës, të burgosurit kundërshtojnë… by tvshenjaofficial