Tashmë dy ditë policia zyrtarisht është vënë pas biznesmenit Sead Koçan të cilin po e kërkon në Maqedoni dhe jashtë saj, por assesi ti gjenden gjurmët, shkruan SHENJA.
Avokatët e tij thonë se është në udhëtim zyrtar dhe nuk është në ikje, ndërsa në opinion madje kanë filluar edhe spekulimet se ku ka mundur të ikë dhe të kërkojë azil politik. Policia fillimisht tentoi ta gjejë Koçanin në territorin e Maqedonisë por me të parë që nuk gjendet këtu, u lëshuar edhe fletëarresti ndërkombëtar, por edhe nga ky kërkim ende nuk ka asnjë rezultat. Policia kufitare ende nuk është prononcuar nëse e ka shënuar Koçanin në daljen nga territori i Maqedonisë ose ekziston mundësia të ketë shfrytëzuar kalimet ilegale. Tani për tani policia nuk jep informata tjera lidhur me këtë rast përveç faktit se i akuzuari po kërkohet në mënyrë intensive. Sead Koçan dyshohet për keqpërdorime disa milionëshe nëpërmjet firmës së tij “Transmet” në kuadër të rastit “Trust” të Prokurorisë Speciale. Siç thuhet të propozim aktakuzë,ai ka manipuluar me të dhënat e firmës duke shënuar të dhëna të rrejshme për kapacitetin, kuadrin dhe llojin e firmës, vetëm që të fitojë tenderë për gërmim të disa lëndëve të para të shpallur nga kompania “ELEM”.