Programi i prezantuar dje nga LSDM është një kornizë e cila duhet të mbindërtohet për të qenë gjithëpërfshirës edhe sa i përket çështjeve që kanë të bëjnë me shqiptarët si kombi i dytë më i madh në Maqedoni. Kështu kanë deklaruar nga Lëvizja BESA, duke shtuar se ata në këtë fazë do përmbahen nga komentimi i detajeve për këtë program të ofruar nga LSDM-ja, për arsye se, thonë ata se edhe më tej nuk është zhbllokuar çështja e ndarjes së mandatit për kryetarin e LSDM-së, një proces i cili krijon mundësi për të hyrë në negociata për krijimin e qeverisë.
“Prandaj, deri atëherë do të jemi të kursyer, ndërsa pasi ai ta marrë mandatin, edhe ne do t’i japim vërejtjet dhe sugjerimet tona për të prodhuar një program qeveritar sa më gjithëpërfshirës, gjithnjë me shpresë se kjo do të arrihet. Me këtë rast ritheksojmë qëndrimin tonë se edhe më tej kemi dallime me LSDM-në kundrejt interpretimit të dispozitave kushtetuese për sa i përket përdorimit të gjuhës shqipe”, thonë nga Lëvizja BESA.
Nga ana tjerët nga “Aleanca për Shqiptarët” vlerësojnë se është e rëndësishme të zbatohet vullneti i shumicës së elektoratit, i cili në mënyrë të qartë u shpreh se është i interesuar për ndryshime rrënjësore dhe për një qasje të re në drejtim të barazisë së plotë, progresit shoqëror dhe synimeve strategjike, siç janë integrimi në BE dhe NATO.
“Sa i përket 15 parimeve prioritare që shpalosi LSDM, ‘Aleanca për shqiptarët’ vlerëson se partitë politike shqiptare në Programin e zgjeruar qeveritar do të jenë vigjilente që të përfshijnë të gjitha pikat me interes të lartë kombëtar dhe qytetar”, thonë nga “Aleanca për Shqiptarët”.
Zoran Zaev gjatë ditës së djeshme duke folur për çështjet etnike mbi gjitha dygjuhësinë në bankënota tha se ekspertët e kanë këshilluar që ajo është në kundërshtim me Kushtetutën dhe për këtë shkak nuk do të lejojë që denari të jetë në dy gjuhë.
Sa i përket ndryshimit të himnit, stemës dhe flamurit, Zaev tha se ai personalisht është kundër, megjithatë nuk mund të pengoj hapjen e debatit për këto çështje.
Enis Murtezi /SHENJA/
Ja komentet e Lëvizjes BESA dhe “Aleancës për… by tvshenjaofficial