SHBA-të janë të interesuara për stabilitetin dhe prosperitetin e vendeve të rajonit, tha të enjten në Zagreb zëvendës ndihmës Sekretari i Shtetit për rajonin Evropian dhe Euroaziatik, Hojt Brajan Ji.
Ai u bëri thirrje të gjitha palëve në Maqedoni të jenë të gatshme për kompromis dhe të formohet një qeveri e re pas zgjedhjeve.
“Unë sinqerisht shpresoj se Presidenti do të lejojë që deputetët të cilët kanë shprehur vullnet, dhe partitë që përfaqësojnë, të formojnë një qeveri sa më shpejt të jetë e mundur për shkak se Maqedonia ka nevojë për një qeveri që do të vazhdojë dhe do të përfundojë proceset e filluara”, tha Ji.
Duke folur për rajonin, ai theksoi se është e rëndësishme që të vazhdojnë reformat dhe të arrihen standardet evropiane në vendet e rajonit për të vazhduar në rrugën euroatlantike.