Sekretari i përgjithshëm i LSDM-së, Oliver Spasovski ka thënë se shqetësimi kryesorë i presidentit Gjorgji Ivanov nuk është shteti dhe platforma, por mbrojtja e pushtetit të deritanishëm dhe një grupi kriminal. Duke komentuar letrën që Ivanov ua ka nisur liderëve ndërkombëtarë, Spasovski rikujtoi se platforma e partive shqiptare ishte në tryezë edhe në kohën kur Ivanov ia dha mandatin kreut të VMRO-DPMNE-së Nikolla Gruevski.
“Siç presidenti dërgoi letër me shqetësim deri te opinioni ndërkombëtar edhe unë tani do ti parashtroj një pyetje Ivanovit, përse nuk u shqetësua kur ia dha mandatin Gruevskit në kushte kur ajo platformë edhe atëherë ekzistonte? Realitet është shumica e re parlamentare, realiteti është formimi i Qeverisë. Ky shqetësim i Ivanovit dëshmon se Ivanov nuk është institucion në të cilin qytetarët mund të mbështeten”, ka thënë Oliver Spasovski, LSDM.
Spasovski edhe një herë i ka bërë thirrje kreut të shtetit që menjëherë t’i jep mandatin shumicës së re parlamentare, për të krijuar Qeverinë e re dhe për të debllokuar proceset institucionale të shtetit.
“Ivanov ka të zgjedh – shteti dhe qytetarët në një anë dhe mbrojtja e një grupi kriminel në anën tjetër. Ende shpresojmë se do të del në anën e qytetarëve. Ivanov nuk mund ta shpëtojë Gruevskin përmes shkeljes së Kushtetutës, Gruevski nuk mund të shpëtojë duke shkaktuar dhunë. Mos të luajnë me zjarrin dhe të mos nxisin urrejtje dhe dhunë. Qytetarët nuk duan ndarje dhe zgjedhje të reja. Ndryshimet filluan dhe as Ivanovi as Gruevski nuk mund ti ndalojnë”, ka shtuar ai.
Në pyetjen e gazetarëve se deri kur do ta presin Ivanovin që ti jep mandatin kreut të LSDM-së Zoran Zaev, Spasovski tha se si parti janë tepër të kujdesshëm dhe angazhohen që të mos lejojnë rritjen e tensioneve dhe shkaktimin e akteve të dhunës. Ai akuzoi se këto janë qëllimet e VMRO-DPMNE-së, por u zotua se nuk do të lejojnë skenare të tilla.
Arben Zeqiri /SHENJA/
Spasovki: Ivanov mbron kriminelët e jo shtetin by tvshenjaofficial