Nga numri i përgjithshëm i popullatës në Maqedoni, 49.9 për qind janë gra. Ato jetojnë 3.9 vite më shumë se burrat, apo 77.4 vjet, tregojnë të dhënat që sot i publikoi Enti Shtetëror për Statistikë me rastin e 8 Marsit, Ditës Ndërkombëtare të Gruas, raporton Anadolu Agency (AA).
Sipas të dhënave të shpalosura, në vitin 2015 ka pasur 282.078 gra të punësuara, ndërsa prej tyre 76.3 për qind kanë qenë të punësuara në kompani në pronësi private.
Mbi 95 për qind e grave të punësuara janë me orar të plotë të punës. Në raport me burrat është më i madh edhe numri grave të diplomuara, gjegjësisht 57.1 për qind si dhe numri i grave magjistra, gjegjësisht 58.6 për qind.
Në Maqedoni në vitin 2015 ka pasur 143 gra doktor shkencash. Sipas Entit për Statistikë gratë në Maqedoni në të shumtën e rasteve vendosin të lindin nga një ose dy fëmijë, ndërsa emri më i shpeshtë i gjinisë femërore është Maria.
Lidhur me kohën e lirë, të dhënat e Entit tregojnë se gratë e punësuara brenda ditës kalojnë 15 për qind të aktiviteteve të lira, ndërsa gratë e papunësuara 21 për qind.
Nga të gjitha aktivitetet shtëpiake të grave, 16 për qind bëjnë pjesë në pastrimin e banesës, ndërsa mesatarisht në ditë kalojnë nga 1 orë e 50 minuta në shikimin e televizionit.
Ato gra që kanë fëmijë kalojnë nga 1 orë e 57 minuta në kujdesin e tyre.
Në mjediset urbane gratë mesatarisht kalojnë nga 2 orë e 16 minuta në zbavitje dhe kulturë, ndërsa gratë në mjediset rurale në këto aktivitete kalojnë nga 1 orë e 13 minuta.
Gratë që kanë kafshë shtëpiake mesatarisht në ditë kalojnë nga 1 orë e 41 minuta.