Vendimi i djeshëm i presidentit Ivanov ka ngritur reagimet edhe të krerëve shtetëror të Shqipërisë dhe Kosovës. Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, nëpërmjet një mesazhi të publikuar në rrjetin social Facebook, ka thënë se shqiptarët janë popull shtetformues në Maqedoni.
“Ivanov, gjuha shqipe nuk është e armikut, po e një populli shtetformues në Maqedoni. Pa shqiptarët nuk ka Maqedoni i dashur president”, qëndron në reagimin e Ramës.
Ndërkohë, kreu i Kuvendit të Shqipërisë, Ilir Meta, nëpërmjet një komunikate për media, tha se shpreh shqetësimin për situatën e rënduar politike në Maqedoni. Meta tha se inkurajon të gjitha forcat politike në vend për qetësi, përgjegjshmëri dhe konstruktivitet.
“Dëshiroj të shpreh gjithashtu keqardhjen për retorikat nacionaliste anti-shqiptare të cilat cënojnë harmoninë dhe bashkëjetesën ndër-etnike – si garanci për stabilitetin e vendit fqinj. Shpresoj që gjithë aktorët institucionalë dhe politikë të tregojnë përkushtim për progresin demokratik dhe euro-atlantik të Maqedonisë”, ka thënë Meta në një reagim me shkrim.
Reagimeve të Tiranës zyrtare i është kundërpërgjigjur kryeministri i Maqedonisë, Emil Dimitriev. Ai ka porositur Ramën se me ndërhyrjen në punët e brendshme të Maqedonisë u shkakton dëm të madh raporteve të mira fqinjësore dhe se ajo është në kundërshtim me vlerat evropiane.
“Ajo nuk i ndihmon askujt. Nuk i ndihmon Shqipërisë, qytetëtarët e së cilës presin nga ju që të merreni me mangësit në qeverisjen dhe ekonominë. Nuk i ndihmon BE-së sepse edhe evropianët e kanë të qartë se kërkoni vetëm pretekst për zënka jashtë për të mos u folur për atë që e keni bërë apo nuk e keni bërë në shtëpi. Nuk i ndihmon as Maqedonisë, qytetarët e së cilës duan shtet sovran dhe të pavarur në kufinjtë aktual”, ka thënë Dimitriev.
Nga ana tjetër, presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, qasjen e Ivanovit e ka vlerësuar si armiqësore dhe antishqiptare. Ai ka thënë se shqiptarët në Maqedoni janë popull shtetformues dhe Maqedonia duhet të jetë shtet i të gjithë qytetarëve të saj.
“Zhvillimet politike në Maqedoni janë shumë shqetësuese. Presidenti Ivanov abuzoi me Kushtetutën dhe ligjet në qasjen e tij armiqësore e antishqiptare, që përbëjnë një të tretën e qytetarëve të këtij shteti. Me vendimin e tij, presidenti Ivanov varrosi demokracinë, duke mos njohur vullnetin e qytetarëve, Kushtetutën dhe ligjet, si dhe varrosi Marrëveshjen e Ohrit”, thuhet në reagimin e Thaçit.
Thaçi ka shtuar se pa të drejta të barabarta të shqiptarëve në Maqedoni, humb kuptimi i funksionimit të shtetit të Maqedonisë.
Teuta Buçi /SHENJA/
Shqipëria dhe Kosova: Shqiptarët në Maqedoni… by tvshenjaofficial