Pas vendimit të presidentit Gjorge Ivanov që të mos ia dorëzojë mandatin për formimin e Qeverisë liderit të LSDM-së Zoran Zaev, mbrëmë vonë përmes rrjetit “Facebook” ka reaguar edhe kryetari i BDI-së Ali Ahmeti. Në postimin e tij, Ahmeti thotë se platforma shqiptare nuk e cenon karakterin unitar të shtetit. Ahmeti thotë gjithashtu se kjo platformë është hartuar në Shkup, e jo në Tiranë, dhe se këtë e ka thënë në çdo prononcim të tij.
“Në këtë takim në Shkup, harmonizuam qëndrimet rreth pritshmërive të shqiptarëve dhe në çdo prononcim timin publik kam thënë që Deklarata e përbashkët e partive parlamentare shqiptare të Maqedonisë është dakorduar dhe shkruar në Shkup”, ka shkruar Ahmeti në Facebook.
Por, ndryshe nga ajo çfarë ka shkruar në Facebook, kryetari i BDI-së Ali Ahmeti ishte në fakt politikani i parë që zbuloi se platforma e partive shqiptare është përpiluar në Tiranë, gjatë takimit me kryeministrin shqiptar Edi Rama. Edhe atë, vetëm një ditë pas takimit të përbashkët të liderëve shqiptarë me Ramën. Në një prononcim para mediave, Ahmeti mbi 30 herë përmend fjalën “dokument” dhe “platformë”, duke iu referuar takimit në Tiranë.
“Ky dokument i cili është si draft që përmbledh programet, pikat kryesore të programeve të partive politike që kanë garuar në zgjedhjet parlamentare të vitit 2016. Kjo është një përmbledhje, si dokument që duhet të miratohet në organet drejtuese të partive përkatëse”, deklaroi Ahmeti më 20 dhjetor 2016.
Pikërisht ky fakt që Ahmeti e zbuloi më 30 dhjetor, u përdor dje nga presidenti Ivanov si pretekst që të mos i jepet mandati LSDM-së.
“Unë nuk do të ndaj mandat për formimin e Qeverisë së Republikës së Maqedonisë, të gjithëve që negociojnë për platforma të shteteve të tjera”, deklaroi dje presidenti Ivanov.
Paraprakisht, Ivanov kishte takuar liderët e partive politike më 01 shkurt 2017. Pas atij takimi, kryetari i BDI-së Ahmeti deklaronte se ai ia dorëzoi bombën Ivanovit.
“Unë e kisha bombën të them simbolikisht dhe e hodha te presidenti. Tani nuk e di ku do ta hedhë ai”, deklaroi Ahmeti pas takimit të 01 shkurtit me presidentin Ivanov.
Por, nuk precizoi qartë se çfarë “bombe” kishte dorëzuar në rezidencën presidenciale.
“Unë nuk do të ndaj mandat për formimin e Qeverisë së Republikës së Maqedonisë, të gjithëve që negociojnë për platforma të shteteve të tjera”, tha dje Ivanov.
Pas takimeve në presidencë, Ahmeti përmes mediave kërkoi publikisht nga lideri i LSDM-së Zoran Zaev që t’i dorëzojë garanca me shkrim për pranimin e platformës shqiptare. Zaev pranoi sfidën, por pyeti Ahmetin se pse garanca të tilla me shkrim nuk i ka kërkuar ndonjëherë Gruevskit.
“Z. Ahmeti nuk kërkonte asgjë të shkruar nga z. Gruevski që fillojë bisedimet për Qeverinë”, deklaroi Zaev më 09 shkurt 2017.
Nga BDI-ja deklaruan disa herë se edhe Gruevski e ka pranuar Ligjin për gjuhën shqipe, por një dokument me shkrim nga VMRO DPMNE dërguar BDI-së asnjëherë nuk pa dritën.
Televizioni Shenja pyeti sot BDI-në se pse deri në këtë moment nuk është përgjigjur nëse ka kërkuar në të vërtetë garanca me shkrim nga VMRO DPMNE për gjuhën shqipe, dhe nëse po, pse dokumenti i tillë nuk publikohet. A po vihet BDI në mbrojtje të rejtingut të Nikolla Gruevskit dhe VMRO DPMNE-së duke fshehur dokumentin që dëshmon se edhe ata kanë pranuar platformën shqiptare, nëse ekziston një dokument i tillë?
Deri në këtë moment, nuk ka asnjë përgjigje nga partia e Ahmetit.
Benjamin Arifi /SHENJA/
Kontradiktat e Ahmetit për platformën dhe… by tvshenjaofficial