Përfaqësuesja e lartë e Bashkimit Evropian për politikë të jashtme dhe siguri, Federika Mogerini, sot pasdite do të arrijë në Republikën e Maqedonisë në kuadër të miniturneut të saj në Ballkanin Perëndimor.
Siç informojnë nga Komisioni Evropian, në Maqedoni ajo do të takohet me presidentin Gjorge Ivanov, me liderët e partive politike të përfaqësuara në Kuvendin e Maqedonisë, si dhe me studentët që marrin pjesë në programin “Erazmus”.
“Për Bashkimin Evropian, puna me vendet e Ballkanit Perëndimor, rajon që është në zemër të Evropës, është prioritet kyç. Punoj për ta parë secilin nga partnerët tanë të Ballkanit Perëndimor se si përparon në rrugën drejt reformave drejt Bashkimit Evropian, në mënyrë që të sigurohet se ky proces është i domosdoshëm. Bashkëpunimi rajonal dhe marrëdhëniet e mira fqinjësore mbeten me rëndësi thelbësore në këtë kontekst”, theksoi Federika Mogerini para fillimit të miniturneut të saj
në Ballkan.
Mogerini nesër do të jetë në Beograd, pastaj do të shkojë në Tiranë, ku do të takohet me presidentin e Shqipërisë, Bujar Nishani, kryeministrin Edi Rama dhe përfaqësues të partive politike.
Të shtunën, më 4 mars, Federika Mogerini do të qëndrojë në Kosovë, ku në Prishtinë do të takohet me presidentin kosovar, Hashim Thaçi, me kryeministrin Isa Mustafa dhe përfaqësues të tjerë politikë, ndërkaq do ta vizitojë edhe Mitrovicën.