Kur shohim projektin,“Shkupi 2014” dhe numërohen nevojat elementare të qytetarëve bindemi se pse vlen thënia e ish zëvendës kryeministrit Zoran Stavrevski, i cili në njërën nga të a.q.”bombat e opozitës” tha se: “Po harxhojmë për çokollatë, ndërsa nuk kemi për bukë”. Gjithë kjo më së miri vërtetohet në brengat dhe problemet komunale, të komunave të ndryshme në Maqedoni dhe në perceptimin e opinionit të gjerë për projektin “Shkupi 2014”.
Për gazetën Lajm këtë e vërtetojnë edhe nga Komuna e Kumanovës. Nga aty vërtetojnë se si komunë opozitare ballafaqohen me raport injorues nga pushteti.“Projekte në interes të përgjithshme, me të cilat komuna ka aplikuar, ende nuk pranohen nga ministritë kompetente. Më 2014 kemi aplikuar në Ministrinë për transport dhe lidhje për projekt për ndërrimin e instalimeve shtëpiake, kombinuar me rrjet për ujësjellës për territorin e komunës së Kumanovës në vlerë prej 95 597 600 denarë. Më 2013 kemi aplikuar në të njëjtën ministri për kolektor fekal në fshatin Tromegjë në vlerë prej 24 449 951. Nga aty nuk kanë pranuar as për ndërtimin e rrjetit të ujësjellësit për fshatin Tromegjë, fshatin Tabanocë, lagjen “Pero Çiço” dhe “Kojnare të poshtme” dhe “Rezhanocë”. Ministria për transport dhe lidhje nuk ka pranuar as aplikimin e komunën për ndërtimin e kolektorit fekal në fshatin Reçicë në vlerë prej 19 553 869 denarë. Ministria nuk ka pranuar as kërkesën e komunës për të ndërtuar kanalizim fekal në fshatin Bedinj, në vitin 2012”, thonë për redaksinë tone nga komuna e Kumanovës.
Brengën e njëjtë dhe neglizhencën e pushtetit qendror e thekson edhe Zenun Ismaili, këshilltari komunal në Kumanovë nga RDK.
“Jemi dëshmitar të investimeve të shumta të Qeverisë në projektin shumëmilionësh të quajtur “Shkupi 2014”, por kur ne kemi kërkuar të paktën një çerdhe të re ne Kumanovë apo shkollë të mesme si nevojë imediate kemi hasur në vesh të shurdhër në këtë drejtim. Fëmijët kanë nevojë urgjente për objekte të reja, sepse Kumanova ka numrin më të madh të fëmijëve që kanë nevojë për t’u regjistruar në çerdhe dhe në mungesë të objekteve çdo vit refuzohen me qindra kërkesa të prindërve për regjistrim të fëmijëve në çerdhe. E njëjta është me objektet e shkollave të mesme me mësim në gjuhën shqipe, nxënësit shqiptar mësojnë në kushte të mjerueshme, ndërsa qeveria për 15 vite nuk ka qenë e gatshme të ndërtojë një shkollë të re edhe pse çdo vit ndërtohen shkolla gjithandej në Maqedoni në komunat tjera”, deklaroi për Lajm Ismaili.
Analiza e BIRN “Shkupi 2014 nën lupë” detajisht analizon projektin dhe sjellë në opinion kontradiktat për vendosjen e përmendoreve si dhe çmimet e të njëjtave. Analiza dëshmon saktë se pse thënia e ish zëvendës kryeministrit Stavrevski është e pakontestueshme, dhe si pushteti është angazhuar më shumë për skulptura sesa për problemet dhe nevojat e qytetarëve të saj.
“Përmendorja e Hristo Tatarçev është vendosur në muajin prill të vitit 2013 në një ditë me disa përmendore tjera. Afër Tatarçevit janë vendosur edhe skulptura tjera si ajo e Kuzman Josifovskit Pitu, Hristo Uzunov, Boris Sarafov dhe Vasil Çakalarov, pastaj skulptura të figurave historike në urën “Syri”, si dhe skulpturat e Shën Marias, Shën Pjetrit dhe Pavles dhe Shën Nikollës në sheshin “Maria e shenjt”. Pastaj, përmendorja Vasil Çakallarov është vendosur në rrethoren afër kishës katolike më 8 prill 2013. Sipas medieve vendimi i komunës Qendër, kryesuar aso kohe nga Todoroviq, për ndarjen e buxhetit së bashku me vendimin për Hristo Uzunov, disa herë ishte ndryshuar nga ana e këshilltarëve komunal në komunën Qendër. Më vitin 2011 vendimi ka qenë 140 mijë euro. Në fund, vetëm për vendosjen e Çakallarov, përfshirë shkrirjen në bazament, shuma ka arritur deri më 500 mijë euro”, thuhet në analizën e BIRN, “Shkupi 2014 nën lupë”.
Qytetarët shumën e mëdha të parave të harxhuar për projektin “Shkupi 2014” e quajnë çmenduri. Sipas tyre, i njëjti nuk është pasqyrë e realitetit e as që ka të bëjë me historinë reale të këtij shteti.
“Pamundësia për tu përballur me realitetin historik dhe ekzistues, bën që të shohim një fytyrë tjetër të Shkupit, në një Shkup që nuk përkon aspak as me të kaluarën, por, as edhe me të tashmen. Ndërsa pjesa tjetër ka të bëj me absurditetin e harxhimeve marramendëse ndaj këtij projekti si dhe dyshimet e hedhura mbi këto harxhime. Çmimi për pamjen e re të Shkupit është rritur me shtatëfish nga shuma e planifikuar fillimisht (deri në 560 milionë euro) ndërsa numri I monumenteve dhe ndërtesave është trefishuar. Në një vend serioz me një shtet të së drejte, ky fenomen i çmendurisë së llojit të vet padyshim se do të duheshe të kaloj nëpër filtrat e stërhollë të hulumtimit ndaj çdo keqpërdorimi apo diçka të ngjashme”, deklaroi Kastriot Osmani, qytetar.
Sipas tij, me gjithë atë shumë parash, investimet mund të ishin nga më të ndryshmet, si në investime ekonomike ku këto investime do të përktheheshin në kthim.
“Investime në sektor të arsimit, shëndetësisë, mjedisit të gjelbër, padyshim se do të sillnin jo vetëm të mira materiale, por edhe dinjitet qytetar, rikthim të besimit ndaj këtij shteti si dhe ulje të papunësisë e emigrimit nga ky vend”, tha Osmani.
Nga këndvështrimi i politikologut Deniz Memedi, “Shkupi 2014”paraqet ndër investimet kapitale më kontradiktore dhe jo produktive për qytetarët e Maqedonisë që do të mbahet mend përgjatë historisë.
“Projekti në fjalë ishte investim puro në politika simbolike për të shfaq në pahë ndjenjat historike që nga antikitetit deri në sllavizëm nëpërmjet busteve dhe përmendoreve të cilat edhe i dhanë një imazh të vrazhdë qytetit të Shkupit me kombinimet qesharake të stileve të ndryshme. Njëherit projekti “2014” –të shkaktoi edhe përçarje të vetë maqedonasve në aspektin e asaj se një pjesë pretendonte se janë pasardhës të Aleksandrit, ndërsa pjesa tjetër prejardhjen e bazonte tek sllavët. Të hollat harxhuara në këtë projekt jo produktiv (flitet të jenë afër 500 milion euro) mundeshin të ridestinoheshin në projekte kapitale produktive”, theksoi politikologu Memedi.
Memedi vlerëson se boshti kryesorë I një sistemi shoqërorë janë arsimi dhe sistemi shëndetësorë.
“Në rast se i shohim objektet ku zhvillohet procesi edukativo arsimor, sidomos në rajonin veri perëndimorë dhe i vizitojmë spitalet shtetërore në çfarë gjendje janë do të vijmë në përfundim se në çfarë forme të gabuar janë destinuar të hollat e qytetarëve në këtë projekt”, përfundoi Memedi.