Një qeveri e përbërë nga LSDM, BESA, Aleanca për Shqiptarët dhe PDSH, pa BDI, por me përkrahjen e saj me vota në Parlament, është një nga opsionet që kërkon bashkësia ndërkombëtare.
Por këtë e theksoi mbrëmë në Klik Plus në Tv21 edhe përfaqësuesi i Lëvizjes BESA, Kastriot Rexhepi, që sipas tij, qeveria duhet të përbëhet nga partitë opozitare, të cilat do të marrin synimin për realizimin e platformës së përbashkët të partive shqiptare, nënshkruese e së cilës është edhe BDI. Por kohë më parë edhe kryetari i BDI-së, Ali Ahmeti theksoi se nuk përjashton mundësinë që BDI të mbetet në opozitë.
Kjo siç mësohet është një nga opsionet në tryezën e negociatave për formimin e Qeverisë, ku kërkohet VMRO-DPMNE dhe BDI si partnere të deritanishme qeveritare të ngelen në opozitë. Një qeveri e tillë me LSDM dhe partitë opozitare shqiptare duke përfshirë edhe votat e BDI do të kishte 69 deputetë. (INA)