LSDM dhe BDI edhe sot janë tërësisht të heshtur në lidhje me negociatat për mbledhjen e nënshkrimeve që socialdemokratët të sigurojnë 61 deputetë për të marrë mandatin për formimin e Qeverisë nga presidenti Ivanov. Tre ditë pas takimit të eurokomisarit për Zgjerim, Joanes Han me liderët e partive politike parlamentare në Maqedoni, ende nuk ka asgjë konkrete. Të pyetur nëse po përgatisin materialet me shkrim që i kërkoi BDI si garancë, nga LSDM thonë se ende nuk kanë bërë asgjë konkrete në këtë drejtim dhe se po vazhdojnë me negiciatat e brendshme partiake, ndërsa në BDI qëndrojnë tërësisht të heshtur. Madje pas takimit me eurokomesarin Joanes Han, kreu i BDI-së Ali Ahmeti i pyetur se çfarë pret më tepër të pranojë LSDM përveç platformës shqiptare, ai tha se kërkon garanca në materiale me shkrim dhe jo vetëm me fjalë.
“Pa patur materiale të shkruara nënshkrime nuk jepen nga BDI, sepse para duhet të dihet se çka shkruhet në letër dhe tani të vendosin organet e Bashkimit Demokratik për Integrim”, kishte deklaruar më 10.02.2017 kryetari i BDI-së Ali Ahmeti.
Pas kësaj deklarate kreu i LSDM-së Zoran Zaev deklaroi se Ahmeti nuk ka pasur qasje të këtillë ndaj Gruevskit, por megjithatë bëjnë gjithçka për të siguruar nënshkrimet e duhura.
“Zotri Ahmeti nuk kërkoi asgjë me shkrim nga Zotri Gruevski që të futet në bisedime për Qeveri, por gjithsesi për neve fjala është fjalë, pavarësisht asaj se është dhënë gojarisht apo me shkrim, nuk kemi problem me këtë punë”, pati deklaruar Zoran Zaev, kryetar i LSDM-së më 10.02.2017.
Pas takimit me Eurokomesarin për Zgjerim Joanes Han, kreu i BDI-së, Ali Ahmeti tha se nuk shpejtohen për të bërë Qeveri për shkak se vendit nuk i nevojitet qeveri e shpejtë por stabile