Gjithsej 49 refugjatë nga qendra tranzitore në Tabanoc, në afërsi të kufirit verior të Maqedonisë, janë dërguar në Greqi përmes vendkalimit të rregullt kufitar, raporton AA.
Lidhur me këtë rast, nga Zyra e UNHCR-së në Shkup, në njoftimin me shkrim për AA thuhet se sipas informacioneve që i posedojnë ata, deri 49 persona të cilët shumica kanë arritur në Maqedoni para mbylljes së kufijve gjatë vitit të kaluar, mbrëmjen e kaluar policia i ka hipur në autobus dhe janë dërguar në Greqi përmes vendkalimit të rregullt kufitar. Për shkak të këtij rasti, nga UNHCR-ja shprehën shqetësim për gjendjen e refugjatëve.
“Përfaqësia e UNHCR-së Shkup nuk ishte informuar paraprakisht për vendimin e tillë të autoriteteve. Shumica janë familje, ndërsa në to ka edhe foshnje. UNHCR është e shqetësuar se një pjesë e njerëzve nuk kanë dokumente personale me vete për shkak të procedurës rrjedhëse për regjistrimin e të sapolindurve. Po ashtu, një nga familjet është në proces të bashkimit familjar me anëtarët tjerë në një vend të Bashkimit Evropian”, qëndron në njoftim.
Sipas informacioneve të UNHCR-së, asnjë nga ky grup nuk ka parashtruar kërkesë për azil në vend.
“UNHCR thekson se e drejta për të kërkuar azil duhet të respektohet gjatë tërë procedurave të cilat autoritetet mund në mënyrë legjitime t’i inicojnë lidhur me personat që kanë hyrë në vend në mënyrë të parregullt dhe të cilët deri tani nuk kanë kërkuar azil. Ne do të vazhdojmë ta ndjekim situatën me shpresë se ajo do të rrjedhë në tërësi me standardet sipas të drejtës ndërkombëtare për refugjatë”, inormojnë nga UNHCR-ja.
Nga ana tjetër Ministria e Punëve të Brendshme e Maqedonisë njoftoi se sot në periudhën prej orës 08:00 deri në ora 09:30 në vendkalimin kufitar “Bogorodica” autoriteteve kufitare greke u janë dorëzuar 49 persona (42 shtetas të Sirisë dhe 7 shtetas të Irakut).
Momentalisht në territorin e Republikës së Maqedonisë ka gjithsej 127 refugjatë, prej të cilëve 34 janë vendosur në qendrën tranzitore për refugjatë në Tabanoc, 68 në qendrën e pranimit për refugjatë “Vinojug” në Gjevgjeli, ndërsa 25 prej tyre, janë azilkërkues në Shkup.