Pas informatave se inspektorë të Drejtorisë për të Ardhura Publike kanë bërë kontrolle financiare në Shtëpinë Botuese “Logos – A” ka reaguar shkrimtari dhe publicist Kim Mehmeti. “Në këtë Maqedoni që shenjë njohëse ka korrupsionin e krimin dhe ku, politikanë e burrështetas, akuzohen për hajdutëri dhe plaçkitje të popullit, shteti mbrohet nga Shtëpia Botuese ‘Logos –A’!?”, ka Shkruar Mehmeti në Facebook.
Ja reagimi I plotë shkrimtarit Kim Mehmeti:
“Inspektorët financiar të DAP-it i janë vërsulur Shtëpisë Botuese ‘LOGOS-A’ si dhe disa shoqatave humanitare e kulturore që i drejtojnë disa miq të mi, si të ishin ato çerdhe hajdutësh, e jo institucione kulturore e bamirëse! Ja pra, në këtë Maqedoni, e cila shenjë njohëse ka korrupsionin e krimin dhe ku, politikanë e burrështetas, akuzohen për hajdutëri dhe plaçkitje të popullit, shteti mbrohet nga Shtëpia Botuese ‘Logos –A’!? Pra në këtë shtet ku inspektorët e policia nuk do duhej të dilnin nga selia disa milionëshe e VMRO-DPMNE’së dhe nga ajo e BDI’së, inspektorët financiar kontrollojnë ato pakë institucione kulturore e bamirëse që kanë shqiptarët e Maqedonisë?! Ku ta dish, ndoshta i tërë ky ‘kontroll financiare’ është veprimtaria e fundit ‘atdhetare e kombëtare’ e drejtuesve të BDI-së, të cilët në këtë mënyrë, duan t’u hakmerren të gjithë atyre që e përkrahën dhe që e përkrahin Lëvizjen BESA! Pra, kjo mund të jetë hakmarrja e fundit ndaj neve që themi: e keqja e shqiptarëve të Maqedonisë janë banditët dhe hajdutët partiak të BDI’së, ata që shkatërruan thuajse çdo gjë të vlefshme që kishim ne si popull dhe të cilët tani, para ‘vdekjes’ së tyre politike, duan të shkatërrojnë edhe ato pakë institucion kulturore e bamirëse që na kanë mbetur!”