Nuk është se lagjet tjera janë më të ndërtuara, por se lagjja “Serovë”, është njëra ndër lagjet më të lëna pas dore nga komuna e Çairit, është diçka evidente.
Përveç rrugëve me gropa dhe mungesës infrastrukturore këtë lagje e shoqërojnë me qindra probleme tjera.
Njëra ndër to është qendra rekreative për fëmijë.
Në lagjen Serovë, para 15 vitesh me vetiniciativë të banorëve të kësaj lagje është ndërtuar një qendër rekreative.
Mirëpo nga mungesa e mjeteve financiare, nuk ka mundur të mirëmbahet. Nga ajo ditë e deri më sot, po kalojnë 3 mandate të plota nën udhëheqjen e kreut të komunës Izet Mexhiti të BDI-së, dhe asnjëherë nuk është investuar për rindërtimin e këtij rrafshi kreativ.
Kështu edhe ato gjësende të cilat i kishin siguruar qytetarët nga gjepi i tyre, sot nuk janë më. Nuk ka as ulëse, as fontanë, dhe as një shportë për mbeturina.
Si pasojë anashkalimit të komunës, kjo hapësirë, mund të quhet gjithçka tjetër përveç një rrafshi kreativ për fëmijë.
Disa nga banorët e kësaj lagje për Almakos kanë deklaruar se frikësohen që fëmijët e tyre të mos infektohen me sëmundje të ndryshme nga mbeturinat e shumta në këtë hapësirë.
“Është për keqardhje se si fëmijët e tonë nuk kanë ku të zbaviten. Përveç kësaj ata rrezikohen të infektohen edhe nga sëmundje ngjitëse. Një Zot e di se çka janë tu mendu këto të komunës. Pse aspak nuk i dhimben mos fëmijët tanë, fëmijët e tyre. Në këtë lagje jetojnë edhe fëmijë të funksionarëve partiak, Është ky park ose deponi mbeturinash në lagjen Serovë të Çairit?! ”, kështu u shpreh i revoltuar një banor i lagjes Serovë.
Kujtojmë se pas 3 muajsh do të mbahen zgjedhjet lokale, dhe me cilat të arritura Izet Mexhiti, gjegjësisht ndonjë nga kandidatët e BDI-së do të kërkojnë edhe një mandat nga populli?!/Almakos