
Shtëpia Botuese Shkupi i është kundërpërgjigjur reagimit të Sekretariatit Shtetëror të Ministrisë së Kulturës, në lidhje me projektet e programit kulturor të vitit 2017. Drejtuesi i kësaj shtëpi botuese, Azam Dauti, ka akuzuar sekretarin shtetëror, Bexhihudin Shehapi, se vepron kundër interesave shqiptare dhe se nuk po punon në avancimin e kulturës shqiptare në vend.
“Megjithatë, do ta rikujtojmë autorin e këtij Reagimi, se kur shkruhet Ministria e kulturës, në atë rast nënshkrues është ministri, sepse ai është përgjegjës për politikën kulturore në këtë Ministri. Sekretari Shtetëror, mund të ndikojë nëse ka ndikim tek Ministri, mirëpo funksioni i Sekretarit shtetëror është të merret me sistematizime dhe mbikqyrje të punëve që i bëjnë të punësuarit në ministri. Sikur Sekretari shtetëror të kishte avancuar ndonjë të punësuar shqiptar nga referenti në këshilltar, nga këshilltari në udhëheqës sektori, apo këshilltar shtetëror, atëherë do të kishte dëshmuar edhe fuqinë politike dhe do të kishte arsye për të ndikuar pozitivisht në avancimin e kulturës shqiptare, në suaza të mundësive të tij. Por ai, në vend që të avancoj shqiptarë, para vitit të ri avancoi 4 maqedonas!”, ka thënë Azam Dauti nga ShB Shkupi.
Dauti disa ditë më parë deklaroi për TV Shenja se përzgjedhja e projekteve të programit kulturor për vitin 2017 është bërë në mënyrë selektive duke u nisur nga interesat partiake dhe personale. Ai tha se Shtëpia Botuese “Shkupi” aplikoi me 22 ndërsa u përkrah me 3 tituj, ndërsa akuzoi Shehapin për degradim të kulturës shqiptare. Ndaj kësaj deklarate reagoi Shehapi, sipas të cilit, nuk bëhet fjalë për asnjë diskriminimi ndaj asnjë shtëpie botuese për projektet e miratuara në kuadër të programit. Sipas tij, as anëtarët e komisioneve përkatëse e as ai, nuk kanë ndonjë konflikt interesi me sferën e botimeve. Shehapi është shprehur i bindur se ky program është arritja më e madhe për kulturën shqiptare në Maqedoni në njëzet vitet e fundit.
Teuta Buçi /SHENJA/
Dauti: Shehapi po punon kundër interesave të… by tvshenjaofficial