Mungesa e ujit për pije për tanimë dy javë, i ka detyruar banorët e Dobërdollit, të Komunës së Vrapçishtës, që të protestojnë para komunës. Me pankarta me mbishkrime,”Shekulli 21, ne vuajmë për ujë”, “Bajram Kadrija, Dobërdolli të dha 1000 vota”, “Amandamenti kaloi, stacioni filtrues nuk është askund” dhe “Ku janë janë 5 milion denarë”, Dobërdollasit, i bëjnë apel kryetarit të komunës, që të shqyrtojnë amandamentin, të cilin siç thonë ata, tanimë ka kaluar në projekt buxhetin e vitit 2016.
“Është një shprehje e revoltës të banorëve të fshatit Dobërdoll, fshat I cili numëron 1500 shtëpi dhe ka gati 6-7000 banorë. Vërehet mungesë e ujit prej tre javësh, domethënë pas vitit të ri. I bëjmë apel kryetarit të komunës, të shqyrtojë amendamentin i cili ka kaluar për projekt buxhetin e vitit 2016. Bëhet fjalë për amendamentin për stacionin filtrues të ujit, të fshatit Dobridoll”, thotë njëri nga banorët.
“Problemi nuk është vetëm tash, problemi është edhe verës. Verës vijnë këto nga jasht nuk kanë ujë, kanë problem. Uji nuk është si duhet, ky është turp. Shekulli 21, në mes të Europës, si me qenë në Afrikë dikund. Kam ardh prej gurbeti kam problem. Ky problem është qe 20-30 vjet, nuk është vetëm tash… Do t’I mbyllim rrugët tek pagesa rrugore”, thotë një banor tjetër.
Ata përveç me mungesën e ujit, ballafaqohen edhe me nevojën që i njejti të filtrohet, pasi siç thonë ata, rezervuari i ujit nuk është i mbuluar, pas çka edhe nëse ata furnizohen me ujë, i njejti nuk mund të përdoret për pije.
“Problemi është se bazenet atje janë pa mbulu, tash vijnë macet qenët hyjnë aty bëjnë diçka”, thotë njëri nga banorët e Dobërdollit.
Ndërkaq, ata fajësojnë edhe banorët e papërgjegjshëm të cilët gjatë stinës së verës, e keqpërdorin këtë ujë duke e përdorur atë për ujitje. Por ata akuzojnë autoritetet se ndaj këtyre personave nuk ndërmerret asgjë, për të vetmen arsye siç thonë ata, se të njejtit janë votues të BDI-së.
“Verës nuk kemi ujë, ujisin kopshtet, ndërkaq ne nuk kemi ujë për të pirë. E keqpërdorim ne, ku janë nëse nuk dënohen ata që keqpëerodin, po si mund t’I dënojnë kur ata janë të partisë, BDI-së, e nuk I dënon ata, se po t’I dënojë, nuk do të mund t’I marrë votat më pas… Ku ke pa ti dimrit të rregullohet uji ku nuk mund as cjapi të shkon atje, duhet verës të punohet”, thotë një banor tjetër.
Ata thonë se partitë i vizitojnë ata vetëm kur janë zgjedhjet, për të marrë votat e tyre, dhe të njejtit nuk i zgjedhin asnjëherë problemet e fshatit, gjë që i bën banorët skeptik, se problemet e tyre do të marrin fund ndonjëherë.
Pas protestës së banorëve, ne kërkuam edhe qëndrimin e komunës, mirëpo disa punonjës të komunës, na thanë se kryetari i kësaj komune Bajram Kadrija, bashkë me përfaqësues të ndërmarrjes publike komunale ndodhen në vendin e ujësjellësit i cili është në lartësi malore dhe janë duke punuar për të sanuar problemin, i cili sipas tyre është shkaktuar nga disa rrëshqitje të dheut.