
Pikëpamje të ndryshme dhe debat i ashpër u zhvillua gjatë emisionit “Arena” që mbrëmë u transmetua në Televizionin SHENJA, ku të ftuar ishin Aleksandar Pandov dhe Naser Selmani. Pandov u shpreh i bindur se mandatari Gruevski do të arrijë të formojë Qeveri deri në fund të afatit kushtetues.
“Mendoj se po, ato sinjale të cilat po i dërgojnë partitë politike të VMRO dhe BDI aq sa unë i kuptoj mendoj se po, do të formohet qeveri dhe mendoj se këtu do të kyçet edhe ndonjë parti më e vogël shqiptare që fituan deputet qoftë PDSH, Aleanca ose të dyja së bashku. Nuk e di, por mua më duket se një gjë e tillë është e mundshme, mendoj se do të formojnë qeveri. BESA nuk merret parasysh, natyrisht për shkak se nga BESA haptazi treguan se nuk vjen në shprehje që të marrin pjesë në një qeveri ku figuron VMRO-DPMNE dhe BDI”, tha analist politik, Aleksandar Pandov.
Nga ana tjetër, gazetari Naser Selmani tha se arsyeja e vetme për të cilën BDI dhe VMRO do të formonin qeveri, është që t’i shmangen përgjegjësisë nga krimet që dalin në shesh nga përgjimet. Ndryshe, Selmani tha se do të shkohet sërish në zgjedhje, duke theksuar se në këto zgjedhje eventuale, BDI-ja do të pësonte një debakël.
“Gjëja e mirë e rezultateve të këtyre zgjedhjeve është se BDI-ja është në hall, siç tha edhe vetë Ali Ahmeti. Halli i atij nuk janë shqiptarët, halli është i tij, i partisë dhe i atyre që janë përreth. Nëse ia lejojnë luksin që të shkohet në zgjedhje të reja VMRO DPMNE-së e cila e ka problem t’i pranojë kërkesat elementare të shqiptarëve, e konfirmoj, do të bisedojmë edhe pas zgjedhjeve, se BDI-ja do të shuhet. Nëse kanë ardhur deri në atë shkallë që ta shuajnë partinë vetëm për ta shpëtuar VMRO DPMNE-në nga kjo situatë, le ta bëjnë atë, por përgjegjësia është e madhe”, tha gazetari Naser Selmani.
Të ftuarit në emision, u përplasën edhe për atë se a duhet që gjuha shqipe të jetë zyrtare në nivel shtetëror, apo jo. Pikëpamje të ndryshme ata kishin edhe për atë se kush është meritor, e kush mbart fajin për mos avancimin e çështjes së gjuhës shqipe, me atë se Pandov, mbronte idenë se Ali Ahmetit i takojnë meritat më të mëdha.
“Un vetëm për një gjë nuk mund t’i fajësoj as VMRO-në as LSDM-në. Është hipokrizia e partive shqiptare. Nuk mund ju njëherë të thoni dua të drejta të pakicës, njëherë të thoni dua të drejta të kombit”, theksoi Selmani.
“Nëse ndonjë shqiptar në Republikën e Maqedonisë, e ka zgjidhur dhe e avancuar çështjen e dygjuhësisë, ai është Ali Ahmeti dhe BDI-ja, dhe këtë duhet t’ia respektoni të gjithë”, tha Pandov.
Gjatë emisionit, analisti Aleksandar Pandov mbronte idenë se çështja e gjuhës shqipe është një agjendë e huaj, dhe se për shqiptarët nuk është jetësore çështja e gjuhës, qëndrime këto që janë shumë të përafërta me qëndrimet zyrtare të VMRO-DPMNE-së.
Abdulla Berisha /SHENJA/
Analisti Pandov: Ali Ahmeti ka meritat e tija! by tvshenjaofficial