Skandal, sekretari Shtetëror i Ministrisë së Kulturës, Behixhudin Shehapi, ndryshe flet me shqiptarët, e ndryshe flet me maqedonasit.
Në emër të një reagimi drejtuar deklaratës së drejtorit të Shtëpisë Botuese Shkupi, Azam Dautit dhënë për Televizioni SHENJA, ai, ndryshe flet me shqiptarët e ndryshe më maqedonasit.
Reagimi në gjuhën maqedonase përbëhet nga 14 rreshta e gjysmë, ndërsa reagimi në gjuhën shqipe, përbëhet nga 22 rreshta e gjysmë.
Të dy reagimet nisin në të njëjtën mënyrë, por edhe nuk përfundojnë ashtu, madje edhe në brendësi ka disa shifra të ndryshme.
Në reagimin në Gjuhën shqipe thuhet: “Fakti, se me këtë program janë përkrahur mbi 50 libra të shtëpive botuese nga Tetova”, ndërsa në reagimin në gjuhën Maqedonase thuhet“Fakti, se me këtë program janë përkrahur mbi 60 libra të shtëpive botuese nga Tetova”.
Reagimi në gjuhën maqedonase përfundon me fjalët “kështu do të vazhdojmë edhe në të ardhmen”, ndërsa reagimi në gjuhën shqipe vazhdon me një sërë lëvdatash për punën e Sekretariatit shtetëror të Ministrisë së Kulturës.
“Të vetëdijshëm nga fakti se gjithmonë do të ketë persona që do ta kontestojnë angazhimin dhe qëllimin fisnik jo vetëm të sekretarit shtetëror të Ministrisë së Kulturës dhe që do të mundohen ‘të gjejnë qime në ve’, siç do të kishte thënë populli, janë rezultatet konkrete ato që na mbrojnë neve e që vetvetiu dëshmojnë se nuk kemi bërë asnjë mëkat. Përkundrazi, jemi të bindur se jemi dëshmitarë të të arriturës më të madhe për kulturën shqiptare në Maqedoni në njëzet vitet e fundit”, thuhet në reagim.
Megjithatë, Shehapi dhe Sekretariati që ai drejton, harrojnë faktin se tashmë jo vetëm njerëzit që merren me kulturë, por i gjithë populli shqiptarë e dinë se në 20 vitet e fundit kultura shqiptare jo vetëm që nuk ka arritur asgjë, por ajo është degraduar.
“Numri, 31, që nënkupton përqindjen e botimeve shqipe në kuadër të të gjitha projekteve të përkrahura për 2017-ën, është ai që hedh poshtë çdo të pavërtetë që do të pillte mendja e gjithsecilit që ka për qëllim nënvlerësimin dhe kundërshtimin e çdo të arriture vetëm e vetëm se nuk ngopen kurrë”, thuhet mes tjerash në reagim.
Megjithatë Shehani dhe Sekretariati harrojnë se tashmë të gjithë ata që merren me veprimtari botuese dhe veprimtari të tjera kulturore e dinë mirë se numri i botimeve dhe mjetet që ndahen për to janë dy gjëra krejt të ndryshme. Numri i botimeve mund të jetë rritur, por shuma e mjeteve që ndahet për një libër në gjuhën shqipe dhe shuma e mjeteve që ndahet për një libër në gjuhën maqedonase dallon shumë.
E nëse numrat mund të jenë 25 për qind, mjetet që ndahen për kulturën shqiptare, nuk janë as 2,5 për qind.