Kreu i Partisë Lidh dhe drejtësi ka publikuar një foto në profilin e tij në “Fb”, ku shfaqet kryeministrja aktuale Jadranka Kosor dhe ish-presidenti i Kroacisë Stipe Mesiç, duke formuar me duar shqiponjën që simbolizon dhe identifikon flamurin shqiptar.
“Në këtë foto është kryeministrja aktuale e Kroacisë dhe ish presidenti kroat Stipe Mesiç që ka qenë edhe presidenti i ish Jugosllavisë. I gjithë grupi bën me duar gjestin e shqiponjës kastriotiane”, – shkruan Ngjela.
Sipas Ngjelës, ky është vetëm fillimi, pasi Serbia e Greqia kanë kohën kundër: “Në fakt kjo kohë është koha e kësaj shqiponje dy – krerëshe. Dhe mos mendoni që heroi ynë kombëtar e kishte nga rasti këto simbol. Dy shtetet uzurpuese të territorit shqiptar, Greqia dhe Serbia, do jenë edhe më në hall: kanë kohën kundër”.
Avokati më pas sulmon ish-kryeministrin Berisha, i cili sipas tij është në pitje të destabilizimit të Shqipërisë nga Beogradi: “Të mërzitur janë në Shqipëri dhe tregtarët e korruptuar dhe njëherësh edhe shitës të pështirë të interesit shqiptar, që pritën t’i shpëtonin burgut të korrupsionit me qese nyloni mbi kokë. Por dhe ata berishianë që presin destabilizimin e Shqipërisë nga Beogradi, të mërzitur janë. Të gjithë janë drejt fundit”.
Ngjela është i bindur se fotoja e simbolit të shqiponjës dy krerëshe do të vijojë të shihet përditë e më shumë: “Shqiponja dy krerëshe ka marrë udhën e triumfit të saj. Pas kësaj fotoje përditë do shihni sërish shqiponjën kastriotiane, ndërkombëtarisht të shfaqur me duar, si sfidën territoriale të mbi tetë milonë shqiptarëve në Gadishullin Ilirik”.
27 janar 2017 (gazeta-Shqip.com)