Vendi ka hyrë në një vit elektoral dhe duket se ekonomia do të jetë karta e fortë e kësaj mazhorance. Por si ka ecur ekonomia? Punësimi? Pse u prish marrëveshja me FMN dhe borxhi?
Për këto dhe të tjera pyetje, këtë të enjte në Top Story ishte i ftuar ministri i Financave, Arben Ahmetaj.
Ai la të hapur mundësinë që kjo mazhorancë, nëse merr mandatin e dytë, të ndërmarrë një nismë për legalizimin e kapitaleve të biznesit.
“Është delikate si çështje që të amnistosh kapitalet. A do të ishte një gjë e duhur për ta bërë? Do të ishte mirë nëse do të kishte konsensus politik.
Ahmetaj tha se çelësi i i suksesit të qeverisë është premtimi për punësimin: “Papunësia ka rënë në nivelet e para se ne të vinim në detyrë. Janë 183 mijë vende pune me bordero. Shqipëria nuk është vendi i dytë pas Gjermanisë, ka vështirësi të pafundme, në strukturë, risqet e brendshme ato të jashtme, por ka lënë greminën pas dhe ka hyrë në një trajektore pozitive. Janë 183 mijë vende pune në sektorin jobujqësor, që nuk është i përfshirë në këtë shifër. Kemi thënë 300 mijë vende pune në ekonomi, kemi 183 mijë vende pune në sektorin jobuqëjsor. Në total, në ekonomi janë mbi 300 mijë vende të reja pune të krijuara”.
Sipas Ahmetajt, punësimi është një nga premtimet e mbajtura të aleancës dhe PS.
26 janar 2017 (gazeta-Shqip.com)