Qeveria VMRO-BDI, nëpërmjet Agjencisë për film, ka ndarë 500 mijë euro nga buxheti shtetëror për filmin “Kur dita nuk kishte emër” kushtuar vrasjes së pesëfishtë në Liqenin e Smillkovës të ndodhur në vitin 2012. Ky film tek familjarët e të akuzuarve të rastit “Monstra” ka shkaktuar ngacmim të plagës së vjetër dhe hapje të një plage të re. Për shkak se ky rast është cilësuar si i montuar politikisht, familjarët thonë se tani Qeveria VMRO-BDI, po tenton që nëpërmjet këtij filmi të justifikon atë, dhe i njejti ka për qëllim që t’i poshtërojë edhe më shumë ata. Ajdari shtoi më tej se, derisa po ndahen mjete shumë të mëdha për një film, ata janë lënë të luftojnë për kafshatën e gojës, pa asnjë mbështetje të vetme.
“Ky film ngacmon dhimbjen tonë akoma më tepër, dhe po shkakton dhimbje të mëtejshme, hapje të varrës tjetër, apo ngacmim të varrës që kishim. Tani përmes filmit ndoshta po orvaten të justifikojnë projektin e tyre të cilin e kanë bërë….Ata kanë njerëz të paguar, edhe mirë, siç shihet për filmin, projekti kushton 500 mijë euro. Ne kemi ardh në gjendje të luftojmë për kafshatën e bukës, pesë vite të paguash çdo gjë, që është në kundërshtim që është njerëzore. Ata paguajnë projekte, të cilat i kanë projektu po themi që prej 2012 e këndej gjithçka kanë bërë”, deklaroi njëri nga familjarët e rastt “Monstra”, Bedri Ajdari.
Familjari Bedri Ajdari, tha se ai e ka akoma më të vështirë ta pranojë këtë fakt, pasi ekziston një parti shqiptare në pushtet, e cila përmes politikave që po bën, po e fundos edhe vetveten por edhe popullin të cilin e përfaqëson.
“Këtë duhet ta mbajnë përgjegjësinë politikanët, por ata në interes të përfitimeve të materiale kanë harruar gjithçka, e kanë lënë popullin rrugëve të enden, pa institucione, pa përfaqësim edhe pa asgjë. Të udhëheqin disa politikanë të papërgjegjshëm, dhe të thonë e kanë thy qafën dhe prap nuk dorëzohen, pasi janë të kapur peng më tepër se sa është I kapur populli, dhe nuk lëshojnë pe, prap me VMRO-në, gjithato ofendime parazgjedhore të gjitha ato po duan t’i materializojnë në kurriz të shqiptarëve, unë nuk di, nuk di”, tha Ajdari.
Familjarët vlerësojnë se tanimë pesë vite janë lënë pa përkujdesje, në mëshirë të fatit dhe me parullën ”Koha shëron gjithçka”, pasi sipas tyre politikanët shqiptarë nuk mbajnë aspak përgjegjësi për fatin e njerëzve të cilët ata i përfaqësojnë. Deri tani, asnjë funksionar i BDI-së nuk ka dhënë shpjegim lidhur me mjetet e ndara për filmin lidhur me rastin Monstra.