
Njohësit e rrethanave politike, vlerësojnë se deklaratat e ndërkombëtarëve në lidhje me Qeverinë e re, tregojnë se ata megjithatë janë të interesuar se çka po ndodh në Maqedoni. Sipas gazetarit Isen Saliu, deklarata e djeshme e eurokomisarit Han ku ai thekson se duhet të formohet shumicë kushtetuese, shumicë kjo e cila do të ketë mundësi për ndryshime kushtetuese, është një sinjal se Qeverinë e rë në Maqedoni do ta presin procese të rëndësishme të cilat deri tani janë anashkaluar, dhe të cilat duhet të zgjidhen.
Përveç kësaj, Saliu tha se në adresë të BDI-së ka arritur një letër nga State Departmenti Amerikan, ku janë dhënë sugjerime në lidhur me formimin e Qeverisë.
“Është sinjal se do të punohet më tepër lidhur me çështjen e emrit dhe çështje tjera të rëndësishme. Kemi informacione gati është bërë publike se një letër në adresë të BDI-së por edhe disa partive të tjera, ka arritur edhe nga State Departamenti Amerikan ku jepen sugjerime në të njejtën vijë që të mos pranojnë formim të Qeverisë e cila nuk do ta çlironte Maqedoninë si shtet, nga kapja prej një strukture të ngushtë. Të gjitha këto reagime që kanë ardh se fundi, mendoj se do t’i japin një intensitet negociatave për formimin e Qeverisë”, ka deklaruar Isen Saliu, gazetar.
Ndërkaq, sipas analistit politik Ace Kabranov, deklarata e djeshme e eurokomisarit Han ka shkaktuar vetëm paqartësi tek opinioni. Kabranov kyçjen e diplomacisë europiane dhe Brukselit e cilëson si të vonuar, pasi ai vlerëson se kanë marrë informata, se Gruevski dhe Ahmeti tanimë janë marrë vesh për Qeverinë e re, dhe se një gjë e tillë nuk publikohet për shkak se bashkëpartiakët e Ahmetit janë kundër një koalicionimi të ri me VMRO-në.
“Informatat tona janë se Gruevski dhe Ahmeti tanimë janë marrë vesh për Qeverinë e re dhe, nuk e publikojnë për shkak se Ahmeti ka problem fillimisht se si t’ju tregojë bashkëpartiakëve të tij, për të cilët e dijnë se janë kundër edhe një koalicionimi me VMRO-DPMNE, sepse ajo do të ndikonte negativisht në parti. Sipas informatave të pavërtetuara, në BDI ka shumë pakënaqësi por edhe tek komuniteti shqiptar, sepse të gjithë e dijmë se Gruevski nuk është i preferuar tek shqiptarët. Ahmeti ka problem të madh se si ta largojë atë revoltë, për këtë arsye humben ditë që të publikohet përbërja qeveritare”, ka thënë Ace Kabranov, analist politik.
Ai shtoi se lidhur me këtë marrëveshje, mund të kuptohet edhe nga deklaratat e Antonio Milloshovskit dhe Emill Dimitrievit, të cilët janë deklaruar se janë kah fundi I bisedimeve dhe brenda një jave do të publikohet gjithçka, ndërkaq që nga partia e Ahmetit informohet vetëm nëpërmjet komunikatave në të cilat thuhet se nuk po negociojnë, se nëse do të kishte diçka të tillë ata di të informonin.
Ajnur Bafqari /SHENJA/