Forumi rinor i Lëvizjes BESA në Haraçinë, ka deklaruar sot se Shkolla e Haraçinës nuk ka as kushte elementare për mbajtjen e mësimit. Në konferencë për shtyp para godinës së Shkollës, Gadaf Shabani nga forumi rinor i Besës në Haraçinë thotë shkolla ka kushte mesjetare dhe të mjerueshme, ndërsa gjendje e këtillë është falë pushtetit të deritanishëm dhe ministrave shqiptarë që udhëheqin me ministrinë e Arsimit. Nga forumi rinor i Lëvizjes Besa deklarojnë se me ardhjen në pushtet të partisë së tyre, do të angazhohen enkas që arsimi shqip ta bëjnë më cilësor dhe me standarde të larta evropiane.
Ja dhe deklarata e plotë:
Sot ne, Forumi Rinor i Lëvizjes Besa, gjendemi para kësaj godine që pretendon të jetë shkollë, që të shprehim keqardhjen tonë të radhës se ky pushtet antishtetëror dhe antishqiptar, po i lë në kushte mesjetare edhe institucionet arsimore, mbase duke harruar se ne jetojmë në shekullin XXI.
Ashtu siç e dinë të gjithë banorët e Haraçinës, e sidomos nxënësit dhe arsimtarët e kësaj shkolle, shkolla e këtij fshati nuk i ka as kushtet më elementare për mësim. Një hapësirë që pretendon të jetë shkollë e që nuk ka as karrige të mjaftueshme, as tabela, as shkumës e as tualete higjienike, gjithçka mund të jetë, por jo edhe shkollë e shekullit tonë.
Prandaj ne lirisht themi se arsimi shqiptar nuk është as cilësor e as modern dhe këtë konstatim e themi edhe pasi që këtë dikaster e kanë udhëhequr disa ministra shqiptarë. Ne nuk mund të mos e themi se kjo gjendje e mjerueshme është falë pushtetarëve të deritanishëm, të cilët nuk kanë as dijen më elementare për sistemin periodik të elementeve.
Për këto arsye Forumi Rinor i Lëvizjes BESA shpreh edhe njëherë shqetësimin e thellë për gjendjen e mjerueshme të shkollave tona, duke ritheksuar me këtë rast se, me ardhjen tonë në pushtet, do të angazhohemi enkas që arsimin shqip ta bëjmë më cilësor dhe me standardet më të larta evropiane.