
Në pesë ditët e fundit të afatit që ka Nikolla Gruevski për të formuar Qeverinë e re, nga Brukseli edhe zyrtarisht vjen propozim për formimin e një Qeverie të koalicionit të zgjeruar. Zëdhënësja e Komisionit Evropian, Maja Kocijançiq, sot ka sqaruar deklaratën e komisarit për zgjerim të BE-së, Johanes Han, i cili dje tha se për Maqedoninë zgjidhja më e mirë është Qeveri me shumicë kushtetuese.
Kocijançiq sqaroi se Han me deklaratën e djeshme ka menduar në nevojën për të pasur një koncenzus të zgjeruar politik dhe koalizion të zgjeruar, që të mundet vendi në mënyrë efikase të ballafaqohet me sfidat e shumta.
“Të gjitha partitë kryesore janë për agjendë reformuese për BE dhe pajtohen se rruga drejt BE-së është qëllim strategjik I vendit. Nëse ata punojnë bashkë drejt këtij qëllimi të përbashkët, ata do të kenë de fakto shumicë kushtetuese, që është e rëndësishme për rrugën drejt integrimit evropian”, ka thënë Maja Kocijançiq.
Afati për formimin e Qeverisë së re nga mandatari Nikolla Gruevski përfundon më 29 janar. Partia e tij ditë më parë ka filluar bisedimet me partnerin e deritanishëm shqiptar, Bashkimin Demokratik për Integrim, por nga këto bisedime nuk ka asnjë informatë zyrtare. Dy partitë mbajnë sekret jo vetëm rrjedhën e bisedimeve, por edhe temat për të cilat është diskutuar deri më tani. Ditëve të fundit nga BDI ka pasur vetëm deklarata të cilat kanë arsyetuar koalicionin e kësaj partie me VMRO-DPMNE-në, duke u thirrur në parimin e koalicionimit të fituesit në bllokun maqedonas dhe fituesit në bllokun politik shqiptar. Por, edhe përkundër deklaratave të shumta, nga BDI nuk ka pasur një përgjigje zyrtare nëse dy partitë kanë përafruar qëndrimet dhe nëse mund të pritet koalicioni i ri VMRO-BDI. Por brenda partisë së Ahmeti ka pasur edhe zëra të cilët kanë kundërshtuar koalicionimin me Nikolla Gruevskin dhe partinë e tij për shkak të politikave të deritanishme të kësaj partie ndaj shqiptarëve në Maqedoni.
Arben Zeqiri /SHENJA/