Ekuacioni I tanishëm politik, është me shumë të panjohura. Kështu tha akademiku Abdylmenaf Bexheti gjatë debatit në emisionin “Arena” që po transmetohet në Televizionin SHENJA. Akademiku Bexheti tha se duke iu referuar vonesës së mandatarit Gruevski, është i mendimit se mandatari nuk e ka ndërmend që të bëjë Qeveri, por se do të harxhojë kohën të cilën ia garanton Kushtetuta për të pasur mandatin. Bexheti thotë se në fund të krejt kësaj, do të kërkohet një zgjidhje tjetër, e cila do të ishte ripërsëritje e zgjedhjeve parlamentare.
Duke folur për bisedimet që zhvillohen mes VMRO-DPMNE-së dhe BDI-së, Bexheti thotë se mungesa e transparencës i bën njerëzit edhe më kureshtarë për tërë këtë proces.
“Ka mundësi që fare të mos zhvillohen negociata serioze. Ka mundësi që në vend që të dizajnohen zgjidhje për ta formatuar Qeverinë, ndoshta dizajnohen skenarë të opsioneve të tjera alternative që ne fare nuk i kemi parasysh. Nuk është hera e parë, e as që nuk do të jetë e fundit që të ndodh ndonjë situatë e befasishme”, tha mes tjerash akademiku Bexheti. /SHENJA/