Duke iu referuar nenit 90 të Kushtetutës së Republikës së Maqedonisë, akademiku Abdylmenaf Bexheti thotë se Presidenti Ivanov ka bërë lëshim shumë të madh kur ia ka dhënë mandatin kryetarit të VMRO-DPMNE-së, Nikolla Gruevskit, pasi ai nuk e ka shumicën në Parlament. Bexheti pohon se Kushtetuta nuk lë hapësirë për interpretime ndryshe.
Ndryshe, neni i 90 i Kushtetutës parasheh që Presidenti i Vendit t’ia dorëzojë mandatin partisë apo koalicionit që ka shumicën në kuvend. Kjo nënkupton se mandatari duhet të ketë përkrahjen e të paktën 61 deputetëve.
Sipas Bexhetit, mandatari duhet t’ia parashtron Presidentit të vendit një listë me nënshkrimet e 61 deputetëve, si parakusht për të marrë mandatin. Pyetja më e madhe, sipas Bexhetit, është: Çka nëse edhe kjo dështon? Ai thotë se të gjitha kalkulimet e VMRO-së nuk do të ishin vënë në veprim, nëse blloku tjetër ia parashtron Presidentit një listë me 61 deputetë, pikërisht në ditën kur Gruevski do duhet të kthejë mandatin tek Presidenti i shtetit. /SHENJA/