Assesi të mos zgjidhen kushtet elementare të mësimit për mbi 500 nxënësit e shkollës fillore “Jeronim De Rada” të Çerkezit të Kumanovës. Gjysmë vjetori i dytë në këtë shkollë filloi me problemet e njëjta, të cilat ishin premtuar se do të evitoheshin qysh para një viti nga ish-drejtori i kësaj shkolle.
“Besoj që në vitin 2016 do të fillojë punimet për sallën e sportit. Ndërrimi i dritareve dhe nxehja qendrore do të mbeten për pushimin veror“, tha Hakik Jahiu, ish-drejtor i SHF “Jeronim de Rada”.
Edhe pas pushimit veror nuk ishte bërë asnjë punim në këtë shkollë, ndërsa ishte premtuar që punët do të kryheshin gjatë vjeshtës së vitit të kaluar.
“Ne kemi lënë që ndonjë të shtune apo të diele, d.m.th. gjatë vikendeve, por edhe kur ka ndonjë festë shtetërore, të punohet”, u shpreh ai.
Kjo shkollë tani ka ushtruese të detyrës së drejtorit, e cila pranon gjendjen e mjerueshme, por që thotë se nuk ka shumë njohuri rreth asaj se deri ku kanë ngelur punët e rregullimit të dokumenteve për rregullimin e kësaj shkolle.
“Nuk e di, më detajisht nuk jam e informuar nga drejtori i mëparshëm, por e di që është punuar në këtë drejtim, në rregullimin e dokumenteve e kështu me radhë, por deri ku ka arritur puna nuk kam informatë”, tha Gjyltene Pajaziti, ushtruese detyre e drejtorit të shkollës.
Sipas prindërve shkolla nuk plotëson as kushtet minimale, me dyer dhe dritare të vjetërsuara, kulm kancerogjen dhe banka e karrige të vjetërsuara.
Kryetari i këshillit të prindërve, Hulusi Jashari thotë se si prind, ndjen keqardhje që fëmijët e tyre po detyrohen të mësojnë në kushtet e njëjta siç kanë mësuar sikur 30 vite më parë. Ai nuk përjashton mundësinë e bojkotimit të plotë të mësimit, në rast se nuk ndërmerren masa për ndryshimin e gjendjes.
“Ne shpresojmë shumë, sepse kjo është shpresa e fundit ngase edhe durimit tonë i ka ardh fundi. Ne jemi mbledhur disa prindër dhe duke pasur parasysh këto premtime kemi vendos që në interes të fëmijëve, që edhe në kushte katastrofale, që të mos bojkotojmë mësimin tash për tash”, u shpreh ai.
Nga komuna e Kumanovës nuk kishte përgjigje se deri kur do të përmirësohen kushtet e kësaj shkolle që gjindet vetëm 3 kilometra nga qendra e qytetit të Kumanovës.