Takimi i kreut të BDI-së, Ali Ahmeti me liderin e VMRO-DPMNE-së, Nikolla Gruevski për të diskutuar (mos) formimin e ndonjë qeverie eventuale pasi që të dyja janë fituese të zgjedhjeve si në bllokun politk shqiptar dhe në atë maqedonas është komentuar në forma të ndryshme nga shumë analistë politikë.
Mirëpo sipas përfaqësuesit të RDK-së, Artan Dika është iluzore të pritet se BDI-ja në krye me Ali Ahmetin dhe garniturën e saj politike do të bëjnë ndonjë pazar të madh në drejtim të avancimit të të drejtave të shqiptarëve në Maqedoni. Ai madje vlerëson se BDI si përfaqësuese politike e shqiptarëve nuk kanë arritur të ndryshojnë dy emra shkollash, ndonëse në krye të Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës ishte njeriu më i afërt i liderit të partisë, e lëre të bëjnë gjëra të mëdha.
“Për ta ditur se çfarë do të bëjë një person në të ardhmen, shiko se çfarë ka bërë ai person në të kaluarën. Nëse një kryetar partie është 13 vjet në qeveri, duke e patur dy herë ministrinë e arsimit, përfshi edhe dy vitet e kaluara ministër arsimi një prej bashkëpunëtorëve të vet më të ngushtë dhe në fund nuk mund të ndërrojë dy emra shkollash, edhe pse ministrit ja lejon ligji dhe i ka patur komeptencat për ta bërë këtë punë, është iluzore të pritet se ai i njëjti kryetar partie që nuk mundi t’i ndryshojë as emrat e dy shkollave, tani do bëjë gjëra më të mëdha. Në fushatën e vitit 2014 BDI-ja premtoi gjuhë, buxhet proporcional, barazi, etj., dhe pastaj u tha se të gjitha do të harrohen dhe në qeveri do hyhet vetëm për eurointegrimet, ndërsa në fund nuk fitohet as eurointegrimi e asgjë tjetër! Koha ka treguar se BDI është grupim interesi për të përfituar duke qenë në pushtet përmes shkëmbimit të interesave shqiptare me përfitimet e pushtetit. Kjo mund të pritet edhe në të ardhmen”, deklaroi për portalin Almakos, Artan Dika.
Ndryshe nga më parë takimi i dy liderëve, Gruevskit dhe Ahmetit dje nuk ishte paralajmëruar fare nga subjektet politike përkatëse.
Dhe ajo çfarë ka ardhur pas takimit ka qenë një “asgjë” dyshuese. BDI, nëpërmjet një kumtese ka bërë të ditur se “Ahmeti dhe Gruevski kanë biseduar për rezultatet e zgjedhjeve si dhe situatën aktuale politike në Maqedoni”, pa zbuluar asnjë detaj për ndonjë (mos)marrëveshje eventuale për formimin e qeverisë.
Por dyshohet se ky nuk ka qenë takimi i parë mes tyre këto kohë, dhe se komunikata e zbehtë e BDI-së për opinionin nuk paraqet pasqyrën reale të temës së diskutimit ndërmjet dy liderëve, Gruevskit dhe Ahmetit.
Po ashtu, disa zëra analitikë, edhe pse e vlerësojnë takimin si diçka normale, thonë se në asnjë mënyrë nuk duhet që të pranohet një qeverisje e partive shqiptare me VMRO-në, parti e cila shquhet për politikë nacionaliste ndaj shqiptarëve./Almakos.