Fondacioni Qendra e Civilizimit Islam”- FOCIC, këtë fundjavë në Qendrën Teatrore për Fëmijë në Shkup, organizon monodramë me temë “Arratisja e Sabri Popajt”.
Monodrama “Arratisja e Sabri Popajt”, që është dramatizim i realizuar nga Hismet Ramadani, duke u mbështetur në poezinë po me këtë titull – të botuar në librin e Milazim Krasniqit “Poezia dhe vdekja”, përbën rrëfimin mbase më rrëqethës të luftës së vitit 1999 në Kosovë, kur forcat serbe vrisnin shqiptarë të pafajshëm ashtu si ua kishte ëndja.
Sabri Popaj është personifikim i shqiptarit të Kosovës dhe i të gjitha vuajtjeve të tij. Ai është metaforë e vuajtjeve dhe përjetimeve të gjithë historisë së shqiptarit të Kosovës që nga 1912-ta e deri në luftën e vitit 1999.
Kjo monodramë paraqet freskimin më të mirë të memories kolektive të shqiptarëve jo vetëm të Kosovës, ku në disa raste sikur harrohet fakti se liria ka pasur çmim shumë të lartë, që shqiptarët e Kosovës – si Sabri Popaj – e kanë paguar me vuajtje që nuk i kap as mendja më e arsyeshme njerëzore.
Kjo monodrame përbëhet prej dy premierave, shfaqja e premierës së parë do të realizohet me datë 20.01.2017 (e Premte) ora 20:00 ndërsa premiera e dytë me datë 21.01.2017 po me të njëjtën orë.