Maqedonia mbetet vendi me pagë më të ulët mesatare nga gjitha vendet e rajonit, me vetëm 363,80 euro në muaj. Për dallim nga Maqedonia, sipas analizës së agjensisë Anadolia, Sllovenia është vendi ku qytetarët marrin pagë mesatare më të lartë prej 1.020,40 euro.
Paga mesatare në Kroaci është 749,70 euro, në Mal të Zi 503 euro, në Bosnjë dhe Hercegovinë 428 euro, në Serbi 369,70 euro.
Pas kësaj analize, portali Almakos ka marrë qëndrimin e ekspertëve ekonomik, mbi arsyet e renditjes së fundit të Maqedonisë për standard jetësorë, ballafaqimin e qytetarëve në këso kushte të varfërisë së skajshme, dhe reflektimin e krizës politike në krizë ekonomike të vendit. Lidhur me këto flasin Ali Maksuti, drejtorë i Departamentit të Ekonomisë në Lëvizjen BESA dhe eksperti ekonomik, Visar Ademi.
Ali Maksuti: Rrogë mesatare 365 euro, shpenzime mbi 500 euro
“Maqedonia është shteti me pagën më të ulët mesatare në rajon, kurse çmimet e shërbimeve dhe produkteve janë mbi nivelin e mesatares, që ndikon drejpërsëdrejti në standardin jetësor të çdo qytetari të Maqedonisë. Rroga mesatare vitin e kaluar në Maqedoni ka qenë rreth 365 euro, kurse shpenzimet mujore për një familje janë mbi 500 euro. Diskrepanca që krijohet mes të hyrave dhe të dalurave brenda një viti , në nje familje mesatare, detyron qytetarët të futen në borxhe dhe kredi për mbijetesë të muajt. Vitet më parë remitencat kanë ndikuar për të mbajtur një standard më të mirë në familjet në Maqedoni, por kohës së fundit ky trend bie.
Ekzistojnë disa arsye pse Maqedonia mban rrogën mesatare më të ulët në rajon, një ndër arsyet është se punëdhënësi më i madh në Maqedoni është vet shteti, ku për arsye se nuk mund të mbaj rrogat të larta ndikon në rritjen e kostos qeveritare, kurse shërbimi nuk përmisohet dhe nuk sjell efekt kapital. Arsye tjetër për mos rritje të rrogës mesatare janë edhe borxhet e larta të shtetit që janë marë dhe janë investuar në projekte jo kapitale , kurse detyrimi për të shlyer kreditë ne afate mban peng edhe rrogat në Maqedoni, sepse mjetet financiare që mblidhen nga qytetaret dhe bizneset nëpërmjet taksave dhe tatimeve, janë të orientuara për shlyerje të borxheve dhe kredive , si dhe për të mbajtuar këto të punësuar me këtë standard actual” .deklaroi për Almakos, Ali Maksuti.
Visar Ademi: Kriza ekonomike si rezultat i turbulencave politike
“Kriza gjithsesi që reflekton negativisht në të paktën tre dimenzione edhe atë në atë: ekonomik, politikë dhe socijal. Aspekti ekonomik është ndoshta më e rëndësishmja por që vjen si rezultat i turbulencave politike. Situata politike e brishtë bën që ky vend të ketë reperkusione vërtetë të medha ekonomike. Përshkak të mosegzistencës së institucioneve sot kemi uljen më të madhe të investimeve të huaja ( për herë të parë edhe më ulët se Kosova në këtë kvartal) sepse investitorët nuk kanë me të cilën të negocijojnë në këto kohë krize dhe shteti pa pushtet real. Sektori i eksportit është në rënie sepse ndihmesa që e kanë marrë këto kompani në formën e subvencioneve është në rrënie. Kompanitë e vogla (sidomos familjare) non stop i nënshtrohen gjobave dhe dënimeve për të mundur të finansohet ky aparat kaq i shtrenjtë që ngriti VMRO-ja dhe BDI-ja. Dhe e fundit, huazimet, për të “blerë” grupat e interesit për ti ruajtur figurat më korruptive të VMRO-së dhe BDI-së dhe më pas ti fituar zgjedhjet është alarmante. Në anën tjetër reperkusionet politike janë të mëdha sepse vetëm nëpërmjet prodhimit të krizës dhe jostabilitetit të institucioneve udhëheqësia aktuale e VMRO-së mund të tregoj se ne duhet të vazhdojmë të qeverisim sepse jemi garant të stabilitetit që është shumë e rrezikshme për një demokraci të brishtë dhe shtet me ma pak vite jetese si ky yni. Dhe në fund është apsekti socijal. Për tu pastruar kjo situatë në kohën kur do vjen demokracia dhe liria e “vërtetë” do të duhet që shume persona që janë punësuar dhe kontraktuar në këtë kohë “pa kohë” fatkeqësishtë do të duhet të largohen nga puna që do të ketë reperkusione të mëdha për mirëqenien e këtyre njerëzve dhe familjeve të tyre”, ka thënë për Almakos, Visar Ademi.