Kryetari i NISMA për Kosovën, Fatmir Limaj, bashkë me shefen e Grupit Parlamentar, Valdete Bajrami, deputetin Haxhi Shala dhe sekretarin për Ekonomi, Shyqiri Bytyqi, sot kanë pritur në takim, kryetarin e Lëvizjes BESA, Bilall Kasami me bashkëpunëtorë, njofton kumtesa partiake.
Në takimin e zhvilluar sot, kanë biseduar për zhvillimet aktuale politike, ekonomike dhe sociale në Kosovë e Maqedoni.
Fatmir Limaj, ka uruar kryetarin e Lëvizjes BESA, Bilall Kasami, për suksesin që kanë arritur në zgjedhjet e fundit në Maqedoni.
“Ne si Nismë jemi shumë të interesuar që partitë politike shqiptare të arrijnë objektivat e veta në mbrojtje të të drejtave të shqiptarëve në Maqedoni, sepse kur Maqedonia është mirë në frymën e zhvillimeve demokratike atëherë është shumë më i lehtë zhvillimi i Kosovës”, ka thënë Limaj .
Ndërsa kryetari i Lëvizjes BESA, Bilall Kasami, u shpreh se bashkëpunimi me subjektet politike në Kosovë është i domosdoshëm, kur e dimë se vendet tona ndodhën pranë ngjarjeve me rëndësi për rajonin dhe Europën.
“Ne jemi të interesuar që të zhvillojmë sa më shumë bashkëpunime me Kosovën, por edhe me Shqipërinë sepse vetëm duke u angazhuar së bashku mund të realizojmë objektivat tona në të mirë të kombit shqiptar kudo që jetojnë dhe veprojnë” ka thënë kryetari i Lëvizjes BESA, Bilall Kasami.