Temperatura të ultë, mungesë të energjisë elektrike dhe fatura me çmime shumë të larta për pagesën e rrymës, janë këto problemet me të cilat ballafaqohen banorët e lagjes Dizhon. Ata ankohen se çdo ditë ikin nga një ose dy linja të energjisë elektrike, gjë që u pamundëson atyre të ngrohin ambientet e tyre në këto temperatura shumë të ulta dimri. E ndërkaq nga ana tjetër, banorët thonë se pavarësisht mungesës së energjisë elektrike, çmimet e faturave janë shumë të larta.
“Sa i përket rrymës elektrike në lagjen Dizhon, çdo ditë përballemi me shkyçjen e rrymës, një linjë ose dy linja faktikisht nuk punojnë. Çdo ditë përballemi me të njëjtin problem. Shumë problem I madh është në këto temperatura të ulëta, sepse ka familje që nuk kanë dru, gjatë ndaljes së rrymës, ankohen prej të ftohtit.”, tha një qytetar nga Dizhoni për Tv Senja.
“Njerëzit janë të revoltuar për shkak të çmimit shumë të lartë të faturave të energjisë elektrike. Para këtij muaji më ka ardhur eventualisht deri në 2000 denarë, tani është e tepruar, tani është 7600. Para pak minutash nuk kishte rrymë, tani prap erdhi, edhe ai është problem tjetër.“, tha një banor tjetër.
Përveç amvisërive, me këtë problem ballafaqohen edhe punëtoritë që ndodhen në këtë lagje. Personat që aktivitetet e tyre i realizojnë në këto punëtori, ankohen se mungesa e energjisë elektrike përveç që nuk u lejon të realizojnë punën e tyre, u ka shkaktuar atyre edhe probleme të tjera me makineritë, të cilat për shkak të mungesës së rrymës janë dëmtuar.
“Ja shkaku i rrymës ne nuk mund të punojmë, ja për shembull makinat janë të mbyllura nuk mund të punojmë, Sa filluam të punojmë para dy-tre ditëve, një fazë nuk punonte, u djeg motorri I makinës, çdo dy tre orë nuk ka pengesa. Sikur e shihni vet,makinat nuk punojnë… Ja prapë nuk ka një fazë…I lëmë natë ditë ndezur, kanë ngrirë, nuk ka rrymë natën dhe kanë plasur me motorra me gjithçka.”, deklaroi një qytetar.
“Po na vjen fatura 17 000 denarë, domethënë kjo duhet të paguhet, a duhet të kemi rrymë, normal që duhet të kemi. Më kthehen klientët, nuk mund as ti qethim, e në fund duhet t’i paguajmë faturat, duhet të paguajmë qiranë, nuk është në rregull kjo, si mund ta paguajë faturën kur nuk kam rrymë, duhet t’i kthej të gjithë klientët, e si ta paguajë unë këtë faturë 17 000 denarë.”, tha një qytetar.
Banorët shpresojnë që një problem i tillë do të rregullohet, pasi siç thonë ata, për shkak se edhe pagesat i kanë bërë me rregull, nuk e kanë të qartë se pse po ndodh një gjë e tillë.