Reshjet e dëborës janë kthyer përsëri. Lençe Rizova nga Instituti Hidrometeorologjik tregon që sot në vend mbizotërojnë temperatura të ulëta dhe me reshje bore më intensitet të dobët, gjendje e njëjtë do të jetë edhe nesër.
“Sot edhe më tutje do të kemi reshje të borës me intensitet të ulët, më shumë do të jenë të pranishme në lindje, megjithatë ende kemi në pjesët veri-perëndimore të vendit reshje bore, të cilat janë po ashtu me intensitet të ulët. Temperaturat edhe sot janë të ulëta, gjithandej janë negative dhe të tilla do të mbizotërojnë edhe nesër gjatë ditës me interval prej -9 deri në -3 gradë”, ka thënë Lençe Rizova, meteorologe.
Reshjet e sotme, kanë bërë që komunikacioni edhe më tej të zhvillohet në vështirësi. Rrugët gjithandej janë të lagështa, ndërkaq për shkak të temperaturave të ulëta, vende-vende mund të shihen edhe ngrica. Edhe sot është vendosur ndalesë për qarkullim të automjeteve të rënda ngarkuese, në vendkalimet malore Strazhë, Pletvar, Gjavatë dhe Presekë, si dhe në aksin rrugor Mavrovë – Dibër.
LAMM rekomandon vozitje jashtëzakonisht të kujdesshme, shpejtësi të përshtatur të lëvizjes dhe respektim të sinjalizimit të vendosur rrugor. Në gryka malore është e mundshme dukuria e paraqitjes së shembjeve, posaçërisht në drejtimet rrugore: Koçan – Makedonska Kamenicë – Dellçevë, Vinicë – Berovë, Gostivar – Strazhë, Mavrovë – Dibër – Strugë, D. Kapi – Udovë, Katllanovë – Veles, Krushevë – Dmeir Hisar dhe Resnjë – Bukovë.
Në Shkup, vetëm 24 orët e fundit, kanë ndodhur nëntë aksidente si pasojë e motit të keq, prej tyre 4 persona kanë mbetur të lënduar, ndërsa pesë të tjerëve u janë shkaktuar dëme materiale.
Temperaturat më të ulëta gjatë ditës së sotme janë shënuar në Mavrovë, -20 gradë Celsius, ndërsa trashësia e borës ka arritur deri në 68 centimetra. Lartësia e shtresës së borës nëpër qytetet tjera është: në Pozharan 49 centimetra, në Lazaropole 45, në Tetovë 28, në Dibër 27, në Shkup 8 centimetra etj. Gjithashtu, në shumicën e qyteteve janë shënuar temperatura të ulëta prej -10 deri në -15 gradë.
Ndërsa, edhe 5 ditë pas reshjeve të fundit të borës, vazhdon te ketë ende vendbanime të izoluara. Të izoluara mbeten shumë fshatra të Malësisë së Shkupit, Kumanovës, Karshiakës e të tjera.
Nga Instituti Hidrometeorologjik bëjnë të ditur se stabilitet të motit dhe ngritje të temperaturave do të kemi të premten, me reshje shiu në vendet më të ulëta dhe reshje bore në vendet më të larta dhe në male. Reshjet do të vazhdojnë edhe të shtunën.