Edhe pse reshjet e borës kanë pushuar, shumë fshatra malor të Shkupit vazhdojnë të jenë të bllokuar. Ekipi i televizionit Alsat sot udhëtoi drejt fshatit Raoviç por ngricat në rrugë dhe bora pamundësoi mbërritjen në fshat. U ndalëm në fshatin fqinjë Bukoviç për të vazhduar në këmbë disa kilometra.
“Dhjetëra banorë të fshatit Raoviq tashmë tre ditë kanë mbetur të mbyllur në shtëpitë e tyre për shkak të bllokimit të rrugës nga bora. Ata thonë se nuk mund të zbresin dot në qytet për tu furnizuar me prodhime të ndryshme ushqimore, ndërkohë ankohen se shumë prej familjeve që jetojnë në këtë fshat kanë fëmijë dhe anëtarë tjerë të familjes të sëmurë”.
“Ka shumë borë, era e ka mbush rrugën deri 1 metër e gjysëm, nuk mundemi të lëvizim, kemi fëmijë të sëmurë. Jam lajmëru edhe në komunë, deri tash nuk kemi asnjë lajm. Tre ditë nuk ka lëvizur askush, as lart as prej lart as prej poshtë, fëmijët janë të sëmurë, njerëz të tjerë të sëmurë, askush nuk ndërmer masa. Ushqimet që kemi mar më herët kemi ende diçka, por problemi është se kemi fëmijë të sëmurë”.
Edhe banorët e fshatit Bukoviç dëshmojnë se raoviçasit kanë mbetur të bllokuar. Ata thonë se këtyre ditëve nuk kanë vërejtur asnjë lëvizje nga banorët e këtij fshati.
“Duhet ti pastrojmë ne vet bashkësia lokale, askush nuk vjen prej Shkupi ti pastroj”
“Po, mund të ketë 30-40 centimentra. Duhet, po kush ti pastroje”.
Nga Komuna e Sarajit nuk ishin të kapshëm për të dhënë përgjigje nëse do të ndërmarrin masa për të për hapjen e rrugës drejt fshatit Raoviç dhe pastrimin e rrugës së vjetër drejt Tetovës. Të bllokuar nga bora ishin edhe banorët fshatit Bllacë deri në orët e pasditës. Por pas intervenimeve nga komuna Çuçer Sandevë, banorët e këtij fshati thanë se rruga ishte hapur për qarkullimin e makinave.
Pavarësisht probleme që u krijuan pas reshjeve, fëmijët e këtyre vendbanimeve iu gëzuan borës. Më sajë e qese plastike ata rrëshqitnin pa brenga për problemet e shkaktuara nga bora.