Që prej dy ditësh fshati Jazhincës i Tetovës pranë kufirit me Kosovën rezulton i bllokuar nga reshjet e dëborës. Banorët mundohen vet të pastrojnë rrugët, pavarësisht vështirësive që sjell era e fuqishme që fryn pa ndërprerë. Situatën edhe më tepër e vështirëson mungesa e ambulancës dhe mjekëve në këtë vendbanim. Kjo gjë i detyron banorët që në këmbë ti dërgojnë të sëmurët në ambulancën më të afërt, që është tetë kilometra nga fshati i tyre.
“Personalisht për vete flas, kam dy të anëtarë shumë të sëmurë në shtëpi nënën e kam të sëmurë me grip nuk kam aspak mundësi ti nxjerri prej shpije. Po mbajmë shpresa se do vij për intervenim komuna. Ambulancë nuk kemi mjek nuk kemi tani por tani për ambulantën nuk merr masa askush”.
“Kjo është dita e dytë që s’mundemi të lëvizim, lëvizim me vështirësi nuk vijnë ta pastrojnë ata që kanë tenderin. Rryma tash ka ardh para dhjetë minutave. Dje kemi pas do raste të të sëmurëve po ka ardh policia i ka marrë dhe i ka çuar te ambulanca më e afërt”.
“Jemi nisur për Tetovë me shku, rruga e pa pastruar prej fshati deri këtu në këmbë kemi ardh, rruga pa pastru komuna nuk ndërmerr asgjë që prej orës dy mbrëmë deri sot pa energji kemi qenë”.
Si pasojë e motit të keq banorët e fshatit Jazhincë përballen edhe me mungesën e energjisë elektrike që në mënyrë plotësuese e bën më të vështirë jenë e tyre.
Nga ndërmarrja “Makedonia Pat” dhe Komuna e Jegunocit, thonë që dje kanë pastruar rrugën, por era e fuqishme e ka mbushur atë sërish me borë. Autoritetet lokale bëjnë thirrje që banorët të mos lëvizin pa nevojë, së paku deri në qetësimin e erërave të forta.