
Dhjetëra qytetarë të Shkupit kanë protestuar sonte për shkak të ndotjes e cila ka arritur shifrat alarmante. Protesta filloi para objektit të Qytetit të Shkupit ku pas fjalimeve të organizatorëve, qytetarët marshuan kah bulevardi Kryengritja e Ilindenit deri te Qeveria. Atje kërkuan që kryeministri teknik Emil dimitriev t’i pranojë në takim që të ia dorëzojnë 17 kërkesat e tyre. Organizatorët pohuan se paraprakisht kanë dorëzuar kërkesën për takim me kryeministrin.
Ndotja, thonë organizatat ekologjike, është më e madhja deri tani, rreth 20 herë mbi normën e lejuar. Për këtë arsye, qytetarët kërkojnë zgjidhje korrekte dhe afatgjate të cilat duhet të plotësohen në afate të caktuara. Ata porositën se pas festave sërish do të dalin në protesta, ndërsa përmes peticionit do të ngrejnë padi kolektive për zyrtarët të cilët nuk marrin masa edhe përskaj të nivelit të lartë të ndotjes e cila kalon nivelin e lejuar edhe mbi 20 herë. /SHENJA/